Shoqëria shtetërore përgjegjëse për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike, Identitek, do të mbështetet te “ALBTraceCo” sh.a. për një pjesë të infrastrukturës dhe teknologjive të sigurisë së lartë, përfshirë mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe biometrike të qytetarëve, furnizimin me dokumente fizike biometrike boshe dhe zhvillimin apo administrimin e sistemeve kritike shtetërore.
Këshilli i Ministrave ka ndryshuar vendimin nr.80, datë 14 shkurt 2023, për krijimin e shoqërisë aksionare të prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve biometrike, duke përcaktuar në mënyrë të detajuar rolin që do të ketë ALBTraceCo në këtë aktivitet.
Sipas formulimit të ri, shoqëria e dokumenteve biometrike do të administrojë dhe zhvillojë aktivitetin e saj nëpërmjet furnizimit nga ALBTraceCo me kapacitetet e nevojshme të infrastrukturës dhe teknologjive të sigurisë së lartë. Këto kapacitete duhet të garantojnë mbrojtjen e të dhënave sensitive të shtetasve, identitetit dhe të dhënave biometrike.
Ndryshimi përfshin gjithashtu furnizimin me dokumentet fizike biometrike boshe, si dhe zhvillimin, integrimin ose administrimin e platformave dhe sistemeve kritike shtetërore. Kjo e shtrin bashkëpunimin përtej vetë prodhimit fizik të pasaportave apo kartave të identitetit dhe drejt infrastrukturës elektronike mbi të cilën mbështeten shërbimet e identifikimit.
Në vendim përcaktohet se shërbimet mund të përfshijnë projektimin, zhvillimin, implementimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve elektronike që lidhen me identitetin biometrik dhe identitetin digjital, identifikimin elektronik, autentifikimin, gjurmueshmërinë dhe verifikimin elektronik.
Formulimi i ri lë hapësirë edhe për shërbime të tjera teknologjike ose të integruara që i shërbejnë prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve biometrike. /ekofin.al
