Shqipëria synon që energjia nga burimet e rinovueshme të përbëjë 66.7% të konsumit final të energjisë deri në vitin 2035, nga objektivi prej 59.4% në vitin 2030, ndërsa në sektorin e energjisë elektrike prodhimi nga burimet e rinovueshme projektohet të tejkalojë konsumin vendas, duke krijuar tepricë për eksport.
Objektivat janë pjesë e Kontributit Kombëtar të Përcaktuar 3.0 të Shqipërisë, të miratuar me VKM nr. 646, datë 27 gusht 2026, që zëvendëson dokumentin e mëparshëm të vitit 2021. Dokumenti mbulon periudhën 2025–2035 dhe mbështetet në skenarin “me masa shtesë” të Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2025.
Rritja më e fortë parashikohet në transport. Pjesa e energjisë nga burimet e rinovueshme në këtë sektor synohet të arrijë 34.8% në vitin 2030 dhe 68.28% në vitin 2035, pra pothuajse të dyfishohet brenda pesë viteve. Dokumenti sqaron, megjithatë, se kjo rritje nuk duhet lexuar thjesht si dyfishim fizik i përdorimit të energjisë së gjelbër në automjete. Ajo lidhet edhe me rregullat e kontabilizimit në transport, ku energjia elektrike nga burimet e rinovueshme llogaritet me koeficientë shumëzues, si dhe me peshën e lartë të energjisë së rinovueshme në prodhimin vendas të elektricitetit.
Një tjetër tregues i veçantë është ai i sektorit të energjisë elektrike. Pjesa e burimeve të rinovueshme është projektuar në 145.8% në vitin 2030 dhe 147.3% në vitin 2035. Përqindjet mbi 100% nuk nënkuptojnë se konsumi mund të mbulohet më shumë se një herë, por se prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme pritet të jetë më i madh se konsumi total vendas i energjisë elektrike, me tepricën që mund të eksportohet.
Në ngrohje dhe ftohje, objektivi është më gradual. Pjesa e burimeve të rinovueshme parashikohet të rritet nga 22.6% në vitin 2030 në 28.6% në vitin 2035. Në total, këto zhvillime do ta çonin peshën e burimeve të rinovueshme në konsumin final nga 59.4% në 66.7% gjatë së njëjtës periudhë.
Objektivat mbështeten në zgjerimin e mëtejshëm të prodhimit të energjisë së rinovueshme përtej varësisë tradicionale të Shqipërisë nga hidrocentralet. Dokumenti parashikon diversifikimin e miksit përmes zhvillimit të energjisë diellore, eolike dhe biomasës, ndërsa skenari mbi të cilin janë ndërtuar objektivat për vitin 2035 supozon se centralet e rinovueshme mund të funksionojnë me kapacitet të plotë edhe kur prodhimi tejkalon kërkesën e brendshme, falë eksporteve dhe kapaciteteve të interkoneksionit.
Në të njëjtën kohë, rritja e energjisë së rinovueshme shoqërohet me objektiva për eficiencën. Konsumi final i energjisë është projektuar në 2.25 Mtoe në vitin 2030 dhe 2.37 Mtoe në vitin 2035, ndërsa për konsumatorët e mëdhenj, veçanërisht aktivitetet industriale, kuadri ekzistues synon kursime prej të paktën 4% të konsumit total të barasvlershëm të energjisë. /ekofin.al
