Bashkimi territorial do ta largojë qendrën e bashkisë deri në rreth 40 minuta udhëtim nga disa prej ish-qendrave bashkiake, ndërsa projektligji parashikon sportele lokale, shërbime të lëvizshme dhe transport publik me orare të garantuara për të shmangur që qytetari të detyrohet të udhëtojë drejt qendrës së re për çdo shërbim.
Distanca më e madhe ndër rastet e paraqitura në matricën e reformës është Belsh–Elbasan, 30,2 kilometra ose rreth 40,4 minuta. Pasojnë Selenicë–Vlorë me 38,9 minuta, Poliçan–Berat me 38,7 minuta, Prrenjas–Librazhd me 38,1 minuta dhe Dimal–Berat me 37,4 minuta.
Këto janë kohë qendër më qendër, të llogaritura mbi itinerarin kryesor rrugor nga një matricë me 1.865 itinerare. Pra, ato nuk tregojnë domosdoshmërisht kohën që i duhet çdo banori të fshatrave apo njësive periferike për të arritur në bashkinë e re.
Relacioni përdor si prag operacional distancën prej 45 minutash, por njëkohësisht vendos mekanizma që synojnë të mbajnë shërbimin pranë territorit që humbet statusin e bashkisë. Në qendrën e çdo njësie administrative parashikohet të funksionojë sportel i integruar shërbimesh, ndërsa për zonat periferike parashikohen shërbime të lëvizshme periodike dhe orare të garantuara transporti publik drejt qendrës së re.
Rasti i Belshit është ndër më konkretët. Elbasani do të jetë rreth 40 minuta larg, por relacioni parashikon që në Belsh të vazhdojë sporteli i integruar, të ketë nënkryetar që koordinon administrimin e territorit dhe, për njësitë periferike, shërbime të lëvizshme dhe transport publik me orare të garantuara.
E njëjta formulë përdoret edhe për Poliçanin, rreth 39 minuta nga Berati. Sportelet duhet të mbeten në territor dhe shërbimet e lëvizshme të mbulojnë njësitë periferike. Përfitimi i pretenduar është që qytetari të ketë akses në një administratë më të fortë dhe më shumë shërbime, por pa humbur afërsinë. Gjithsesi, efekti real do të varet nga funksionimi praktik i sporteleve, shërbimeve të lëvizshme dhe sidomos transportit publik që dokumenti parashikon. /ekofin.al
