Projektligji për reformën e re administrativo-territoriale e ka përcaktuar tashmë hartën me 46 bashki, përfshirë 13 konsolidimet që do të reduktojnë numrin aktual nga 61, por një nga kriteret që ligji kërkon për ndryshimin e kufijve vendorë rezulton ende i papërfunduar: mendimi i popullsisë së njësive që preken.
Vetë projektligji përcakton se Shqipëria do të ketë 46 bashki dhe 12 qarqe, ndërsa relacioni shoqërues parashikon konsolidimin e 28 bashkive ekzistuese në 13 bashki, çka sjell 15 njësi vendore më pak.
Megjithatë, në të gjitha 13 dosjet e konsolidimeve, kriteri “Mendimi i popullatës” figuron me të njëjtin status: “Në proces – plotësohet para miratimit”. Kjo do të thotë se ndërsa bashkitë që do të bashkohen, qendrat dhe organizimi territorial janë hedhur tashmë në projektligj, procesi i posaçëm i konsultimit me banorët ende duhet të përfundojë.
Kjo shfaqet, për shembull, te bashkimi Divjakë–Lushnjë, ku kriteri i mendimit të popullatës rezulton ende në proces. E njëjta gjë konstatohet për Maliq–Korçë dhe për konsolidimin Cërrik–Belsh–Elbasan.
Relacioni bën një ndarje të qartë mes konsultimeve të zhvilluara deri tani dhe procesit që duhet të kryhet për bashkitë konkrete që ndryshojnë kufijtë. Faza e parë ka përfshirë 11 dëgjesa publike rajonale gjatë prillit–qershorit 2026, me mbi 3.500 qytetarë dhe përfaqësues. Këto dëgjesa kanë pasur karakter diagnostik, duke evidentuar problematikat dhe prioritetet e pushtetit vendor.
Por për çdo njësi që riorganizohet kërkohet edhe një proces i dytë dhe i posaçëm. Sipas dokumentit, përpara miratimit të ligjit duhet të zhvillohen dëgjesa publike në çdo njësi të prekur, pyetësorë të dokumentuar dhe shqyrtim në këshillat bashkiakë përkatës, ndërsa rezultatet duhet të dokumentohen publikisht.
Kushtetuta e lidh ndryshimin e kufijve vendorë me marrjen paraprake të mendimit të popullsisë. Relacioni i referohet edhe vendimit nr. 19/2015 të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit ky mendim përbën detyrim kushtetues, por nuk barazohet domosdoshmërisht me pëlqimin e banorëve dhe nuk kërkon zhvillimin e një referendumi. Procesi, megjithatë, duhet të jetë paraprak, real dhe i dokumentuar.
Rezultatet e konsultimit të posaçëm duhet më pas të futen në seksionin përkatës të secilës prej 13 dosjeve, përpara shqyrtimit përfundimtar të projektligjit në seancë plenare. Pas regjistrimit të nismës në Kuvend, projektligji u dërgohet gjithashtu për mendim këshillave bashkiakë dhe të qarqeve, kryetarëve të njësive të prekura dhe institucioneve të tjera, ndërsa mendimi i popullsisë i përcillet Kuvendit nëpërmjet organeve vendore.
Në këtë mënyrë, reforma ndodhet aktualisht në një fazë ku harta e propozuar është e detajuar, por një pjesë e dokumentacionit ligjor që duhet ta shoqërojë ende nuk është plotësuar përfundimisht.
Çështja kryesore do të jetë se çfarë peshe do të kenë rezultatet e konsultimeve në rastet kur mendimi i komuniteteve të prekura nuk përputhet me bashkimet e propozuara, duke qenë se ligji kërkon marrjen e mendimit, por jo domosdoshmërisht miratimin e reformës prej banorëve. /ekofin.al
