Sistemi i ri i përcaktimit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si vlerësohet risku i drejtuesve të automjeteve. Një nga elementet që tashmë ndikon në llogaritjen e primit është edhe historiku i dëmeve, përmes mekanizmit të njohur si Bonus-Malus.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, në kuadër të informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për produktet e sigurimit, shpjegon se çmimi i policës së sigurimit nuk përcaktohet në mënyrë të njëjtë për çdo drejtues apo automjet. Për autoveturat, krahas karakteristikave të mjetit dhe drejtuesit, rëndësi ka edhe historiku i dëmeve të raportuara.
Më konkretisht, sistemi Bonus-Malus mbështetet në një parim të thjeshtë: një historik pa dëme lidhet me një nivel më të ulët risku, ndërsa dëmet e shkaktuara dhe të raportuara mund të sjellin një koeficient më të lartë në përllogaritjen e primit.
Mënyra e zbatimit të këtij faktori përcaktohet nga Rregullorja nr. 156, datë 19.09.2024, e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar 2025.
Pa dëme? Koeficienti mund të ulet
Sipas shpjegimit të Shoqatës së Siguruesve, pjesa “Bonus” lidhet me mungesën e dëmeve të raportuara gjatë periudhës së referencës.
Për drejtuesit me një historik pa dëme, koeficienti që aplikohet mund të jetë më i ulët dhe të lëvizë në intervalin 0.95–0.98, sipas përcaktimeve të rregullores.
Në kahun tjetër është “Malus”. Kur ekziston një historik me dëme të raportuara, koeficienti mund të rritet në varësi të numrit të dëmeve dhe periudhës së referencës.
Ai mund të arrijë deri në 1.25 për një dëm dhe deri në 1.50 për dy ose më shumë dëme të raportuara gjatë tre viteve të fundit.
Në praktikë, kjo do të thotë se dy drejtues me automjete të ngjashme nuk është e thënë të paguajnë domosdoshmërisht të njëjtin prim sigurimi. Historiku i tyre mund të ndikojë në mënyrën se si vlerësohet risku.
Kujdes kujt ia jepni makinën
Një nga elementet më të rëndësishme që evidenton Shoqata e Siguruesve lidhet me përdorimin e automjetit nga persona të tjerë.
Historiku i dëmeve nuk lidhet vetëm me personin që figuron si drejtues apo pronar në policën e sigurimit.
Nëse pronari ia jep automjetin një personi tjetër dhe ky i fundit shkakton një aksident, dëmi i raportuar mund të ndikojë në historikun e dëmeve të të siguruarit. Në të njëjtën kohë, edhe personi që ka shkaktuar aksidentin klasifikohet sipas përcaktimeve të sistemit.
Pra, dhënia e makinës një personi tjetër nuk është pa pasoja nga këndvështrimi i sigurimit. Një aksident i shkaktuar prej tij mund të reflektohet më pas në historikun që merret në konsideratë për vlerësimin e riskut.
Po ata që sigurohen për herë të parë?
Për personat që nuk kanë një historik të mëparshëm dëmesh, pika e nisjes është neutrale. Në këto raste aplikohet koeficienti bazë 1.
Më pas, me kalimin e kohës, historiku i dëmeve të raportuara bëhet pjesë e vlerësimit dhe mund të ndikojë në koeficientin që do të aplikohet.
Megjithatë, Bonus-Malus nuk është faktori i vetëm që përcakton primin e sigurimit të detyrueshëm.
Në vlerësimin e riskut për autoveturat mund të merren në konsideratë edhe fuqia motorike, mosha dhe eksperienca e drejtuesit, përdorimi i automjetit, qarku i regjistrimit dhe vjetërsia e mjetit, sipas përcaktimeve rregullatore.
Për rrjedhojë, sistemi nuk duhet interpretuar sikur vetëm numri i aksidenteve përcakton çmimin përfundimtar të policës. Historiku i dëmeve është një prej elementeve që kombinohen në vlerësimin e përgjithshëm të riskut.
Qytetarët mund të kërkojnë historikun e tyre
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë kujton gjithashtu se qytetarët kanë mundësi të informohen për historikun e tyre.
Çdo qytetar mund të kërkojë pranë shoqërisë së sigurimit pasqyrën e historikut të dëmeve dhe klasën e aplikuar, duke marrë kështu informacion mbi mënyrën se si është vlerësuar historiku i tij në sistem.
Në thelb, filozofia e Bonus-Malus është që risku të diferencohet më mirë: drejtuesit me histori të ndryshme dëmesh të mos trajtohen automatikisht në të njëjtën mënyrë.
Për konsumatorët, njohja e sistemit është veçanërisht e rëndësishme, pasi një aksident nuk përfundon domosdoshmërisht vetëm me dëmshpërblimin e momentit. Ai mund të mbetet pjesë e historikut dhe të ndikojë në vlerësimin e riskut në të ardhmen.
Për industrinë e sigurimeve, ndërkohë, një diferencim më i saktë i riskut synon të kontribuojë në një treg më transparent dhe më të qëndrueshëm./ekofin.al
