Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për ngritjen e sistemit të integruar të transportit publik elektrik dhe inteligjent në Berat, me një fond limit prej 276,191,667 lekësh pa TVSH, ose rreth 2.97 milionë euro. Financimi është parashikuar në programet buxhetore për periudhën 2026-2028, ndërsa kontrata do të ketë një afat zbatimi prej 9 muajsh. Ofertat do të pranohen deri më 25 shtator 2026.
Projekti synon të ndryshojë tërësisht mënyrën e transportit urban në qytet, duke kaluar nga autobusët me naftë te mjetet elektrike dhe duke përfshirë njëkohësisht stacione të reja, infrastrukturë karikimi dhe sisteme inteligjente për menaxhimin e flotës.
Faza e parë me 7 autobusë dhe dy linja
Analiza e transportit publik e hartuar për Bashkinë e Beratit e ndan projektin në dy faza. Faza e parë është konceptuar si pilot dhe përfshin dy linja: L1 Kombinat-Uznova, që sipas analizës mbulon rreth 35-40% të udhëtimeve të rrjetit dhe rreth 18 mijë banorë, dhe L6, një linjë turistike që lidh zonën e Kalasë dhe Goricën.
Për këtë fazë parashikohen 7 autobusë elektrikë, nga të cilët katër autobusë standardë 12 metra për linjën L1 dhe tre minibusë 6 metra për linjën turistike L6. Dokumenti parashikon gjithashtu 19 stacione pritjeje, të ndara në stacione “hub”, standarde dhe të thjeshta, si dhe infrastrukturën e karikimit elektrik.
Linja kryesore Kombinat-Uznova do të jetë 8 kilometra e gjatë, me 12 stacione dhe frekuencë prej 10 minutash gjatë orareve të pikut. Analiza llogarit rreth 600 pasagjerë në orë në pikun e kërkesës dhe një zonë mbulimi prej rreth 18 mijë banorësh.
Ndërkohë, linja turistike është menduar edhe si burim të ardhurash për sistemin. Analiza mbështetet në rreth 800 mijë turistë në vit dhe përllogarit të ardhura prej afërsisht 50 mijë eurosh në vit nga L6.
Tenderi rreth 1.32 milionë euro më i ulët se përllogaritja e fazës së parë
Një nga çështjet që bie në sy është diferenca mes fondit të tenderit dhe përllogaritjeve financiare të analizës.
Në analizën e kostos, vetëm Faza 1 është vlerësuar mesatarisht në 4,297,780 euro. Nga kjo shumë, 2.68 milionë euro përllogariten për 7 autobusët, rreth 274.7 mijë euro për 19 stacionet dhe ekranet e informacionit në kohë reale, 836 mijë euro për karikuesit, qendrën e kontrollit dhe aplikacionin celular dhe rreth 507 mijë euro për software-in ITS për pesë vite.
Fondi limit i tenderit të hapur është ndërkohë 2,974,280.28 euro, ose rreth 1.32 milionë euro më pak se vlera mesatare e parashikuar në analizë për fazën pilot. Diferenca është rreth 30.8%.
Dokumentet e shqyrtuara nuk sqarojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse kjo ulje lidhet me rishikimin e çmimeve, reduktimin e ndonjë komponenti të projektit apo me një strukturë tjetër të financimit.
Tenderi aktual është vetëm pjesë e një projekti shumë më të gjerë. Sipas analizës së Bashkisë Berat, sistemi i plotë deri në vitin 2030 do të ketë 6 linja, 18 autobusë elektrikë dhe 65 stacione pritjeje, ndërsa objektivi është që transporti publik të arrijë të mbulojë rreth 95% të popullsisë urbane.
Kostoja mesatare e të dyja fazave përllogaritet në 10,572,524 euro. Pas fazës pilot, faza e dytë parashikon edhe 11 autobusë të tjerë, katër linja të reja dhe 46 stacione shtesë.
Ndërhyrja synon të zëvendësojë një sistem aktual që, sipas analizës së Bashkisë, funksionon me vetëm 8 autobusë me naftë, me moshë mesatare mbi 15 vjet. Qyteti ka aktualisht katër linja urbane dhe 30 stacione fizike, por vetëm katër prej tyre kanë strehë. Numri i pasagjerëve vlerësohet në 110-150 mijë në vit, ndërsa konsumi i flotës arrin rreth 191 mijë litra naftë në vit.
Analiza evidenton gjithashtu se Velabishti, me rreth 6,800 banorë, mbetet pa shërbim të drejtpërdrejtë, ndërsa Otllaku, me rreth 10,500 banorë, ka akses minimal. Këto zona parashikohet të përfshihen kryesisht në fazën e dytë të projektit. /ekofin.al

