Ligji i ri për lobimin në Shqipëri po hyn në fazën e konkretizimit të rregullave që do të përcaktojnë mënyrën se si do të regjistrohen, raportojnë dhe kontrollohen aktivitetet e lobimit. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nxjerrë për konsultim publik paketën e projektakteve nënligjore në zbatim të Ligjit nr. 12/2026 “Për Lobimin në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas njoftimit të Zyrës së Komisionerit, projektaktet janë hartuar me mbështetjen e ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe synojnë të krijojnë mekanizmat praktikë për zbatimin efektiv të ligjit.
Paketa rregullatore prek një sërë elementësh të rëndësishëm, duke nisur nga procedurat e regjistrimit në Regjistrin e Lobimit, mënyra e administrimit dhe publikimit të këtij regjistri, deri te detyrimet për raportimin e veprimtarisë së lobimit.
Projektaktet përcaktojnë gjithashtu rregulla për verifikimin e të dhënave të deklaruara, administrimin e dokumentacionit dhe konfliktin e interesit. Pjesë e paketës është edhe Kodi i Sjelljes për Lobistët, i cili pritet të përcaktojë standardet që duhet të respektohen gjatë ushtrimit të kësaj veprimtarie.
Një tjetër komponent lidhet me aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese në fushën e lobimit, në kushtet kur Shqipëria po krijon për herë të parë një kuadër të posaçëm ligjor dhe institucional për rregullimin e kësaj veprimtarie.
Zyra e Komisionerit ka bërë të ditur se projektaktet janë publikuar në faqen zyrtare të institucionit, në seksionin “Njoftimi dhe Konsultimi Publik”, projektaktet për lobimin, në linkun https://idp.al/projekt-akte-te-zyres-se-komisionerit/.
Konsultimi do të qëndrojë i hapur deri më 4 shtator 2026. Gjatë kësaj periudhe, institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, media, komuniteti i biznesit, ekspertët dhe çdo palë tjetër e interesuar mund të paraqesin komente dhe sugjerime, duke i dërguar në adresën zyrtare të e-mailit, [email protected]
Sipas Zyrës së Komisionerit, të gjitha kontributet e paraqitura gjatë procesit do të shqyrtohen dhe, sipas rastit, do të reflektohen në versionet përfundimtare të akteve nënligjore përpara miratimit.
Miratimi i këtyre akteve është një hallkë thelbësore për funksionimin në praktikë të Ligjit nr. 12/2026, pasi pikërisht përmes tyre do të përcaktohen procedurat konkrete për transparencën e kontakteve dhe veprimtarive lobuese, regjistrimin e aktorëve të përfshirë dhe raportimin e aktivitetit të tyre.
Kuadri i ri synon që veprimtaria e lobimit, veçanërisht në raport me institucionet dhe vendimmarrjen publike, të zhvillohet mbi rregulla të përcaktuara, me më shumë transparencë dhe mundësi kontrolli mbi interesat që kërkojnë të ndikojnë në proceset vendimmarrëse.
Zyra e Komisionerit ka falënderuar Këshillin e Evropës për mbështetjen gjatë hartimit të paketës dhe ka ftuar të gjitha palët e interesuara të bëhen pjesë e konsultimit përpara mbylljes së tij më 4 shtator.
