Nga Terri Prifti për Ekofin.al
Dy fotografi nga sateliti, pak ditë larg njëra-tjetrës. Në të parën, malet e Lurës janë të gjelbra. Në të dytën, 263 hektarë kanë ndryshuar ngjyrë. E njëjta pamje përsëritet këtë gusht në Kavajë, në Mallakastër, në Krujë dhe në Malin e Dardhës në Librazhd.
Në GreenLab i ndoqëm të pesta këto zona përmes satelitëve evropianë, me pamje para dhe pas çdo zjarri. Bilanci: rreth 859 hektarë të djegur vetëm në këto pesë vatra. Gjysma e kësaj sipërfaqeje ishte pyll.

Shifra kërkon dy sqarime që në fillim. Së pari, ajo mbulon vetëm pesë zonat që analizuam, jo gjithë sezonin. Në shkallë vendi, raportimet zyrtare dhe vlerësimet e ekspertëve flasin për disa mijëra hektarë të prekur këtë verë, me vatra edhe në Dajt, në Vlorë, në Përmet e gjetkë; disa prej tyre ishin ende aktive në mesin e gushtit. Së dyti, shifrat tona janë vlerësime nga pamjet satelitore, jo matje zyrtare në terren – dhe më poshtë shpjegojmë hapur edhe ku e ka kufirin kjo metodë.
Zonë për zonë
Lurë, Dibër – 263 hektarë. Sipërfaqja më e madhe e muajit, pothuajse e gjitha në një njollë të vetme prej 223 hektarësh në zonën e Gur-Lurës. Djegia këtu është edhe më e rënda e pesë zonave: në rreth 125 hektarë zjarri ka kaluar me intensitet të lartë, duke mos lënë pas pothuajse asgjë të gjelbër. Megjithatë, dy të tretat e sipërfaqes së djegur ishin kullotë alpine dhe një e treta pyll – një dallim që, siç do të shohim, ka shumë rëndësi për rimëkëmbjen. Fakti që kjo ndodhi në zemër të një prej zonave më të vlerësuara natyrore të vendit e bën humbjen edhe më të ndjeshme: Lura është pjesë e identitetit turistik të veriut, dhe peizazhi është pjesë e ekonomisë së saj.

Kavajë – 202 hektarë. Zjarri përfshiu kodrat në lindje të qytetit, diku mes datave 3 dhe 8 gusht. Kryesisht kullotë dhe shkurre; pylli zë rreth një të pestën. Është shembulli tipik i zjarreve bregdetare të verës: bimësi e thatë, afër zonave të banuara, që përhapet shpejt por prek më pak sipërfaqe pyjore.

Ribë, Mallakastër – 169 hektarë. Këtu qëndron ndoshta gjetja më e rëndësishme e analizës: 155 nga 169 hektarët e djegur, ose 92 për qind, ishin pyll. Në renditjen sipas sipërfaqes, ky zjarr del i treti dhe rrezikon të kalojë pa u vënë re. Në dëmin afatgjatë, ka shumë gjasa të jetë i pari.

Krujë – të paktën 164 hektarë. Zjarri preku zonën e qytetit dhe fshatin Halil, me tri vatra të ndara, ku më e madhja kap 99 hektarë. Rreth dy të tretat ishin pyll, në kodrat që ngrihen mbi një nga qytetet më të vizituara të vendit. Shifra këtu është nënvlerësim: në pamjen satelitore të 13 gushtit, një pjesë e njollës kryesore ishte e mbuluar nga retë, dhe sipërfaqja reale është më e madhe. Me kalimet e ardhshme të satelitit, vlerësimi do të përditësohet.

Mali i Dardhës, Librazhd – 61 hektarë. Zjarri më i hershëm i vargut, që në fund të korrikut, në dy vatra pranë fshatit Dardhë; dy të tretat pyll. Këtu flakët dogjën kryesisht barin dhe shkurret poshtë pemëve, pa i përfshirë kurorat. Sipërfaqja është më e vogla e pesë zonave, por ky lloj dëmi shihet me vështirësi nga larg: pemët duken në këmbë, ndërsa pylli është dobësuar nga brenda dhe bëhet më i cenueshëm ndaj sëmundjeve dhe ndaj zjarrit të radhës.

Pse “çfarë u dogj” peshon më shumë se “sa u dogj”
Nga 859 hektarët e pesë zonave, rreth 440 ishin pyll, 367 kullotë dhe pjesa tjetër shkurre e sipërfaqe të tjera.
Ky raport është thelbi i çështjes. Kullota rimëkëmbet vetë: bari mbin sërish me shirat e vjeshtës dhe, brenda një stine, gjurma e zjarrit zbehet. Pylli jo. Ekspertët e pyjeve vlerësojnë se një pylli funksional i duhen të paktën 25–30 vjet të krijohet, ndërsa rikthimi i plotë i vlerave të tij – druri, bimët mjekësore, habitati për gjahun e egër – matet me shumë dekada. Brezi që e sheh pyllin të digjet, në shumë raste nuk e sheh dot të rikthyer.
Me fjalë të tjera: nga pikëpamja ekonomike dhe mjedisore, 155 hektarë pyll të djegur në Mallakastër peshojnë më rëndë se 165 hektarë kullotë të djegur në Lurë, edhe pse shifra e dytë duket më e madhe. Prandaj bilancet e zjarreve nuk duhen lexuar vetëm si totale hektarësh: dy zjarre me të njëjtën sipërfaqe mund të kenë kosto krejt të ndryshme për komunitetet që jetojnë pranë tyre.
Dëmi nuk mbaron as me pemët. Toka e djegur mban më pak ujë, dhe kjo ndihet në burimet dhe në përrenjtë përreth. Aty ku shpati ka mbetur i zhveshur, shirat e vjeshtës dhe të dimrit marrin me vete shtresën pjellore të tokës – dhe bashkë me të rritet rreziku i rrëshqitjeve dhe i përmbytjeve në zonat më poshtë. Për fshatrat që jetojnë nga blegtoria, nga pylli dhe nga turizmi malor, një kodër e djegur është një llogari që paguhet për vite me radhë.
Si e pamë nga lart – dhe ku e ka kufirin kjo pamje
Analiza jonë mbështetet në pamjet e satelitëve evropianë të vëzhgimit të Tokës, të cilët fotografojnë çdo cep të Shqipërisë çdo dy-tre ditë. Duke vendosur krah për krah pamjen para dhe pas zjarrit, dallohet qartë se ku ka kaluar flaka, sa rëndë është djegur çdo pjesë e zonës dhe çfarë kishte aty më parë: pyll, shkurre, kullotë apo tokë bujqësore. Nga ky krahasim dalin hartat dhe shifrat e këtij artikulli.
Kjo pamje ka kufij, dhe është e drejtë të thuhen hapur. Retë e fshehin tokën – rasti i Krujës, ku një pjesë e zonës së djegur nuk dukej dhe shifra jonë është e pjesshme. Zjarret që digjen poshtë kurorës së pemëve dallohen me vështirësi nga lart – rasti i Librazhdit, ku dëmi real mund të jetë më i madh se ai që matet. Dhe asnjë satelit nuk e zëvendëson vlerësimin në terren, i cili mbetet referenca zyrtare për dëmet dhe për dëmshpërblimet.
Ajo që sateliti ofron, dhe që vështirë ta ofrojë ndonjë mënyrë tjetër, është vazhdimësia. Sateliti kthehet mbi të njëjtin vend çdo dy-tre ditë, sot, në tetor dhe vitin tjetër. E njëjta pamje që sot tregon perimetrin e djegies, do të tregojë në vjeshtë ku po mbin bari, në pranverë ku toka ka mbetur e zhveshur – pikërisht aty ku duhet ndërhyrë kundër erozionit – dhe vit pas viti, ku pylli po rikthehet e ku jo. Nëse diku pas dy vjetësh nuk ka asnjë shenjë gjelbërimi, ajo është një thirrje konkrete për ripyllëzim, me vend e me sipërfaqe të matur. Rimëkëmbja kështu bëhet e matshme, jo çështje përshtypjesh – dhe po aq e rëndësishme, bëhet e verifikueshme: kushdo mund të kontrollojë nëse një ripyllëzim i premtuar po ndodh vërtet.
Për bashkitë, për shërbimin pyjor dhe për këdo që planifikon ndërhyrje pas zjarreve, ky është një instrument pune praktik. Hartat e plota të pesë zonave – para/pas, ashpërsia e djegies dhe mbulesa e tokës – janë të hapura dhe i vëmë në dispozicion të çdo institucioni a studiuesi që i kërkon, bashkë me skedarët gjeohapësinorë për përpunim të mëtejshëm. Analiza e një zone të re kërkon vetëm pak minuta./ekofin.al
Terri Prifti është themelues i GreenLab Albania, platformë shqiptare e bujqësisë inteligjente që përdor pamjet satelitore dhe sensorët në tokë për të ndjekur gjendjen e parcelave bujqësore.
Vlerësimet e këtij artikulli janë satelitore, jo shifra zyrtare.
