Nga Lyto Alliu për Ekofin.al
Astroturizmi është një nga format ku kjo marrëdhënie bëhet më e dukshme. Në thelb, produkti kryesor nuk është teleskopi dhe as kampingu. Produkti kryesor është eksperienca që krijohet rreth qiellit. Teleskopi, astrofotografia, guida, kampingu apo interpretimi astronomik janë instrumentet që e bëjnë këtë pasuri të aksesueshme për turistin. Vlera ekonomike fillon në momentin kur një person vendos të udhëtojë drejt një destinacioni sepse dëshiron të përjetojë qiellin në një mënyrë që nuk mund ta përjetojë në qytetin ku jeton.
Kjo e bën astroturizmin veçanërisht interesant për zonat rurale. Në turizmin tradicional, një zonë e largët mund të konsiderohet në disavantazh sepse nuk ka hotele të mëdha, qendra tregtare apo infrastrukturën e një qyteti. Në astroturizëm, një pjesë e këtyre “mungesave” mund të kthehen në avantazh. Distanca nga qytetet, mungesa e urbanizimit intensiv, qetësia dhe sidomos ndotja më e ulët nga drita krijojnë kushtet që kërkon turisti i qiellit.
Eksperienca e Star Campers Albania na ka ndihmuar ta shohim këtë marrëdhënie jo vetëm në teori, por në terren. Ajo që nisi si një pasion për qiellin dhe natyrën është zhvilluar gradualisht në një produkt ku njerëzit udhëtojnë drejt destinacioneve të ndryshme të Shqipërisë për të kaluar një natë ose disa ditë të lidhura me stargazing, teleskopë profesionalë, astrofotografi, kamping dhe aktivitete në natyrë.
Rritja e Star Campers Albania ka treguar se ekziston një kërkesë reale për këtë lloj eksperience, por njëkohësisht ka treguar edhe se astroturizmi mund të jetë shumë më tepër sesa një aktivitet i bukur veror. Gjatë rrugëtimit tonë, koncepti është njohur edhe jashtë Shqipërisë. Në vitin 2025 Star Campers Albania u vlerësua me çmimin Butterfly Innovation Award në Novi Sad, Serbi, një vlerësim që për ne ishte i rëndësishëm jo vetëm si çmim, por si konfirmim se mënyra se si po përpiqemi të lidhim inovacionin, turizmin dhe zhvillimin lokal ka potencial edhe përtej tregut shqiptar.
Ky vlerësim na dha edhe një sinjal të qartë se astroturizmi mund të trajtohet si një produkt inovativ dhe jo vetëm si një aktivitet argëtues. Inovacioni në këtë rast nuk qëndron vetëm te përdorimi i teleskopëve apo teknologjisë, por te mënyra se si një burim ekzistues, qielli i natës, shndërrohet në një arsye për të udhëtuar dhe për të krijuar ekonomi në territore që shpesh mbeten jashtë flukseve kryesore turistike.
Pikërisht këtu fillon ajo që për ne është ekonomia reale e yjeve. Nëse një person paguan vetëm një biletë për të parë qiellin dhe më pas largohet, efekti ekonomik është relativisht i kufizuar. Nëse i njëjti person udhëton drejt një fshati, fle aty, konsumon darkën dhe mëngjesin, blen një produkt lokal, përdor një guidë dhe të nesërmen zhvillon një aktivitet tjetër, atëherë një natë me yje ka aktivizuar disa hallka të ekonomisë lokale.
Pra, yjet nuk janë vetë ekonomia; yjet janë motivi që aktivizon ekonominë.
Kjo është një diferencë shumë e rëndësishme edhe për mënyrën se si ne po përpiqemi ta zhvillojmë Star Campers Albania. Qëllimi nuk është vetëm të rrisim numrin e njerëzve që marrin pjesë në evente. Objektivi është që gradualisht të kalojmë nga organizimi i eventeve drejt ndërtimit të produkteve turistike të plota, ku stargazing është një nga arsyet kryesore të udhëtimit, por jo i vetmi element që turisti konsumon.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me paketat që po përpiqemi të ndërtojmë për tregun e huaj. Për një turist ndërkombëtar nuk mjafton domosdoshmërisht oferta “eja të shohësh yjet për disa orë”. Për ta përfshirë këtë eksperiencë në një udhëtim drejt Shqipërisë duhet të ndërtohet një histori më e plotë. Turisti mund të vijë për qiellin, por duhet të ketë mundësinë të përjetojë edhe Shqipërinë.
Një paketë disa-ditore mund të kombinojë stargazing me hiking të lehtë, vizita në ferma dhe bujtina, gastronomi, takime me komunitetin, horse riding, jeep adventure, trashëgimi kulturore dhe peizazhe natyrore. Në një destinacion tjetër mund të kombinohet me një park kombëtar, një fshat historik apo një eksperiencë tradicionale. Në këtë mënyrë nuk shitet vetëm astronomia. Shitet një mënyrë tjetër për të zbuluar Shqipërinë, ku qielli bëhet elementi që lidh të gjithë itinerarin.
Për Star Campers, kjo do të thotë që në të ardhmen nuk duhet të shesim vetëm “stargazing in Albania”. Duhet të shesim një Albanian dark-sky experience. Diferenca është e rëndësishme. Në rastin e parë shitet një aktivitet. Në të dytin shitet një destinacion dhe një histori.
Një turist i huaj mund të vijë për të parë Rrugën e Qumështit, por gjatë paketës të flejë në një bujtinë familjare, të hajë një darkë me produkte të zonës, të ecë në një shteg malor, të vizitojë një fermë, të takojë banorë lokalë dhe në mbrëmje të përdorë teleskopin. Në këtë model, astronomia është elementi dallues, ndërsa pjesa më e madhe e vlerës ekonomike shpërndahet në territor.
Kjo është edhe arsyeja pse ekonomia e yjeve nuk duhet matur vetëm me të ardhurat direkte të Star Campers Albania. Nëse duam të ndërtojmë një model të qëndrueshëm, një nga indikatorët më të rëndësishëm duhet të jetë sa nga shpenzimi total i turistit mbetet në destinacion. Një grup i vogël turistësh të huaj që qëndrojnë disa net, përdorin bujtina, hanë lokalisht, marrin guida dhe blejnë aktivitete mund të ketë një efekt ekonomik shumë më të rëndësishëm për një komunitet sesa një event i madh ku pjesëmarrësit qëndrojnë vetëm pak orë.
Në këtë kuptim, cilësia e vizitorit dhe kohëzgjatja e qëndrimit mund të jenë po aq të rëndësishme sa numri i vizitorëve.
Këtu lind edhe çështja e sezonalitetit. Në pamje të parë, Star Campers mund të konsiderohet një aktivitet sezonal. Kampingu është më i lehtë gjatë muajve të ngrohtë dhe disa fenomene, si Perseidët, krijojnë kulme të forta interesi në periudha të caktuara. Kjo është e vërtetë dhe duhet pranuar si pjesë e modelit.
Por duhet bërë një dallim i rëndësishëm: eventi mund të jetë sezonal, ndërsa astroturizmi nuk është domosdoshmërisht sezonal.
Qielli ndryshon gjatë gjithë vitit. Ndryshojnë objektet që mund të vëzhgohen, kushtet atmosferike, peizazhi dhe vetë mënyra se si mund të ndërtohet eksperienca. Ajo që duhet të ndryshojë është produkti.
Gjatë verës mund të kemi modelin klasik të Star Campers me kamping, net të gjata jashtë, meteorë dhe aktivitete në natyrë. Në pranverë dhe vjeshtë mund të krijohen paketa ku stargazing kombinohet me hiking, gastronomi dhe qëndrime në bujtina. Në dimër kampingu mund të zëvendësohet me hotele apo bujtina malore, me darka pranë zjarrit dhe dalje më të shkurtra për vëzhgim.
Në këtë mënyrë sezonaliteti nuk zhduket, por menaxhohet përmes diversifikimit të produktit.
Një pjesë e rëndësishme e këtij diversifikimi është edhe Star Campers Kids. Ky koncept ka lindur nga dëshira për ta çuar eksperiencën përtej turizmit klasik dhe për ta lidhur me edukimin, natyrën dhe zhvillimin e fëmijëve. Në aktivitetet e Star Campers Kids, teleskopi dhe qielli janë vetëm një pjesë e eksperiencës. Fëmijët mësojnë të qëndrojnë në natyrë, të bashkëpunojnë, të vendosin dhe çmontojnë çadrat, të ecin në natyrë dhe të kalojnë kohë larg ekraneve.
Ky është një shembull konkret se si një brand i ndërtuar rreth astroturizmit mund të krijojë produkte të ndryshme për segmente të ndryshme të tregut. Star Campers Kids nuk ka të njëjtin klient me një paketë private për turistë të huaj dhe as të njëjtin format me një natë Perseidësh, por të gjitha këto produkte lidhen nga i njëjti identitet: qielli, natyra dhe eksperienca.
Në aspektin ekonomik, kjo ka rëndësi sepse zvogëlon varësinë nga një produkt i vetëm. Sa më shumë formate të zhvillohen rreth të njëjtit brand, aq më pak aktiviteti varet nga disa data të caktuara të vitit. Fëmijët, shkollat, familjet, turistët vendas, grupet ndërkombëtare dhe turet private mund të krijojnë kërkesë në periudha të ndryshme.
Kjo është edhe një nga mënyrat më të mira për të adresuar sezonalitetin: jo duke u përpjekur ta eliminojmë plotësisht, por duke ndërtuar një portofol produktesh që funksionojnë në momente të ndryshme të vitit.
Tregu i huaj mund të ketë një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces. Nëse Star Campers mbështetet vetëm te klienti vendas dhe te eventet e mëdha verore, sezonaliteti do të mbetet i fortë. Nëse ndërtohen paketa për agjenci dhe grupe të huaja, produkti mund të shtrihet në periudha më të gjata të vitit dhe të planifikohet më herët.
Një grup i huaj nuk ka nevojë domosdoshmërisht për një event me qindra njerëz. Përkundrazi, për një pjesë të tregut ndërkombëtar mund të ketë më shumë vlerë një grup i vogël, një destinacion i qetë, një guidë profesionale, një darkë lokale dhe një eksperiencë autentike nën qiell.
Kjo ndryshon edhe modelin ekonomik të Star Campers Albania. Nga një model i mbështetur kryesisht te volumet dhe disa data të forta të vitit mund të kalohet gradualisht drejt një modeli me më pak njerëz për grup, por me qëndrim më të gjatë dhe me shpenzim më të lartë për vizitor.

Për zonat rurale ky mund të jetë një model shumë më i përshtatshëm sesa turizmi masiv. Një fshat nuk ka nevojë domosdoshmërisht për mijëra vizitorë në ditë për të krijuar ekonomi. Në disa raste një fluks i tillë mund të dëmtojë pikërisht natyrën dhe autenticitetin që tërheq turistin. Ajo që i duhet është një numër i menaxhueshëm vizitorësh që qëndrojnë më gjatë, konsumojnë lokalisht dhe paguajnë për eksperienca me vlerë.
Ekziston edhe një dimension tjetër shumë i rëndësishëm: mjedisi. Në ekonominë tradicionale shpesh krijojmë të ardhura duke konsumuar një burim. Në ekonominë e yjeve ndodh pothuajse e kundërta. Për të vazhduar të krijosh të ardhura, duhet ta ruash burimin.
Nëse një zonë mbushet me ndriçim të pakontrolluar, humbet gradualisht qiellin e errët dhe bashkë me të humbet edhe një pjesë të potencialit të vet për astroturizëm. Kështu, mbrojtja nga ndotja e dritës nuk është vetëm një çështje astronomike apo mjedisore. Mund të bëhet edhe një interes ekonomik i destinacionit.
Kjo është një nga pikat ku koncepti i ekonomisë së yjeve lidhet më fort me zhvillimin e qëndrueshëm. Ruajtja e natyrës dhe e errësirës nuk është pengesë për ekonominë; mund të jetë vetë baza mbi të cilën ndërtohet ekonomia. Sa më autentik dhe i mbrojtur të jetë destinacioni, aq më e vlefshme mund të bëhet eksperienca.
Për Star Campers Albania, kjo do të thotë që zhvillimi i ardhshëm nuk duhet të jetë vetëm rritje në numër. Duhet të jetë rritje në cilësi, në produkte dhe në ndikim lokal. Çmimi i inovacionit që morëm në Serbi ishte një sinjal se ky model mund të shihet si një qasje e re. Star Campers Kids është një sinjal se koncepti mund të shkojë përtej eventit klasik. Ndërsa paketat që po ndërtojmë për tregun e huaj janë përpjekja jonë për ta çuar këtë model në një tjetër nivel ekonomik.
Në këtë fazë, Star Campers Albania nuk duhet të shihet vetëm si organizator i netëve me yje. Potenciali është që ai të pozicionohet si një operator që përdor qiellin për të krijuar produkte turistike të qëndrueshme, të shpërndara në territor dhe të shitshme edhe ndërkombëtarisht.
Kjo është edhe arsyeja pse “Ekonomia e Yjeve” nuk duhet kuptuar si ekonomia e një teleskopi, e një fotografie të Rrugës së Qumështit apo e një bilete për një natë kampingu. Ajo është ekonomia që krijohet sepse dikush vendosi të udhëtojë për të parë qiellin.
Është nata shtesë në një bujtinë. Është darka e përgatitur me produkte lokale. Është guida që punësohet. Është fermeri që shet produktin e tij. Është shoferi, aktiviteti me kuaj, hiking-u, jeep-i dhe biznesi i vogël që merr një klient të ri. Është gjithashtu fëmija që përmes Star Campers Kids krijon një marrëdhënie tjetër me natyrën dhe mund të bëhet nesër një vizitor, profesionist apo mbrojtës i saj.
Në këtë kuptim, ekonomia e yjeve ka edhe një dimension social dhe edukativ. Ajo nuk krijon vetëm konsum, por mund të krijojë dije, ndërgjegjësim dhe një marrëdhënie më të fortë mes njerëzve dhe territorit.
Sfida e radhës për ne është ta çojmë këtë eksperiencë nga eventi te produkti, nga produkti te paketa dhe nga paketa te tregu ndërkombëtar, pa humbur filozofinë me të cilën nisi.
Nëse arrijmë që një turist të vijë në Shqipëri sepse dëshiron të shohë yjet, por të largohet duke marrë me vete edhe historinë e një fshati, shijen e një produkti lokal, eksperiencën e një mali dhe mikpritjen shqiptare, atëherë nuk kemi shitur thjesht një natë stargazing.
Kemi krijuar ekonomi.
Dhe nëse për ta krijuar atë ekonomi kemi interes të ruajmë qiellin, natyrën dhe komunitetin që e bën eksperiencën autentike, atëherë kemi krijuar diçka edhe më të rëndësishme: një model ku turisti vjen për yjet, ndërsa vlera ekonomike, sociale dhe mjedisore mbetet në tokë.
