Për herë të parë, Shqipëria merr pjesë me mbështetjen e AIDA-s (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve) në MIPIM Cannes 2025, panairi më i madh në botë i pasurive të paluajtshme. Aktorë të rëndësishëm shqiptarë kanë prezantuar projektet e ndryshme të investimeve në tregun imobiliar të luksit në qytete dhe në bregdet, sektor i cili po njeh një zhvillim të jashtëzakonshëm në Shqipëri.
Në stendën e saj, AIDA përfaqëson katër kompani shqiptare të sektorit: Concord Investment, TDT & Partners, Rozafa-A dhe E&A Investment, të cilat prezantojnë projekte të rëndësishme për zhvillimin urban dhe arkitekturor në Shqipëri.
Pjesëmarrja e AIDA në këtë event synon të prezantojë projektet arkitekturore dhe mundësitë e investimit në Shqipëri në sektorin e pasurive të pakuajtshme, duke e vendosur vendin në hartën globale të investimeve në këtë sektor.
Gjatë pjesëmarrjes në MIPIM 2025, AIDA ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Miami Association of REALTORS, organizatën e famshme të profesionistëve të pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo marrëveshje synon promovimin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për investime në pasuri të paluajtshme, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni me një rrjet global profesionistësh të kësaj industrie. Kjo platformë do të ndihmojë në rritjen e vizibilitetit të tregut shqiptar të pasurive të paluajtshme, duke e bërë atë më të aksesueshëm për investitorët e huaj.
MIPIM është një nga panairet më të mëdha të pasurive të paluajtshme në botë, duke mbledhur mbi 20,000 delegatë nga e gjithë bota. Eventi tërheq investitorë që menaxhojnë mbi 4 trilionë euro në asete, duke e bërë atë një platformë kyçe për marrëveshje të mëdha investimesh. Pjesëmarrësit vijnë nga 90 vende, përfshirë investitorë, zhvillues, autoritete publike, arkitektë dhe profesionistë të tjerë të sektorit. Gjithashtu, në MIPIM prezantohen mbi 300 stenda ekspozuese, ku vendet, qytetet dhe kompanitë promovojnë projektet e tyre më të fundit dhe krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi.

