Rreth 68% e 2,016 subjekteve të tregtisë dhe shërbimeve online të identifikuara nga Administrata Tatimore janë të përqendruara në Tiranë, duke e bërë kryeqytetin zonën kryesore ku pritet të fokusohet zbatimi i planit të ri për formalizimin e sektorit. Për të shmangur shitjet e padeklaruara, Tatimet parashikojnë ndër të tjera përdorimin e të dhënave të operatorëve postarë dhe korrierëve, si edhe blerje-test për të kontrolluar nëse bizneset lëshojnë faturë.
Lista e hartuar nga Administrata Tatimore përmban 2,016 subjekte aktive. Prej tyre, 913 janë identifikuar përmes kodeve ekonomike të lidhura me tregtinë dhe shërbimet postare, ndërsa 1,103 përmes fjalëve kyçe në përshkrimin e aktivitetit. Sipas përgjegjësisë tatimore, 1,537 ose 76% janë biznese që tatohen mbi të ardhurat personale, ndërsa 479 ose 24% janë subjekte të tatimit mbi të ardhurat e korporatave.
Duke qenë se pjesa më e madhe e shitjeve realizohet përmes Instagramit, Facebook-ut etj dhe pagesa bëhet “cash on delivery”, kjo përbën një nga burimet kryesore të riskut fiskal.
Pikërisht për këtë arsye, operatorët postarë dhe korrierët do të kenë një rol të dyfishtë në zbatimin e planit. Ata do të jenë vetë objekt kontrolli për detyrimet e tyre fiskale, por njëkohësisht do të shërbejnë si burim informacioni për Tatimet. Sipas dokumentit, evidencat e dërgesave dhe arkëtimeve në dorëzim mund të përdoren për të rindërtuar volumin e shitjeve të operatorëve online dhe për ta krahasuar atë me qarkullimin e deklaruar.
Në këtë mënyrë, një biznes që rezulton me numër të lartë dërgesash përmes një korrieri, por deklaron qarkullim shumë më të ulët, mund të evidentojë një mospërputhje që kërkon verifikim të mëtejshëm. Vetë DPT e përshkruan si karakteristikë të sektorit online kontrastin mes një pranie tregtare shumë të dukshme në internet dhe gjurmëve fiskale minimale ose inekzistente.
Për Tatimet, kontrollet nuk do të kufizohen vetëm te analiza e të dhënave. Plani parashikon një sistem të shkallëzuar trajtimi, që nis me informimin dhe njoftimet digjitale dhe kalon, për subjektet me risk më të lartë, në telefonata, verifikime dhe kontrolle të drejtpërdrejta. Në terren, Tatimet parashikojnë vizita fiskale, blerje-test për të verifikuar lëshimin e faturës dhe kontrolle për punonjësit. Për rastet e shmangies së rëndë, të përsëritur ose të organizuar mund të përdoren edhe hetime investigative.
Blerja-test pritet të jetë veçanërisht e rëndësishme për aktivitetet që funksionojnë kryesisht përmes rrjeteve sociale. Në plan, Tatimet evidentojnë raste të shitësve në Instagram dhe Facebook me mijëra ndjekës dhe aktivitet të përditshëm, por që mund të jenë të paregjistruar ose të deklarojnë qarkullim simbolik. Përmes një porosie të kryer si një klient i zakonshëm, administrata mund të verifikojë nëse transaksioni shoqërohet me faturë dhe nëse shitësi figuron i regjistruar.
Plani identifikon pesë fusha kryesore risku në ekonominë online: regjistrimin e tatimpaguesve, deklarimin e saktë të qarkullimit, punonjësit e padeklaruar, deklarimin e pagave dhe regjistrimin në TVSH. Strategjia e kontrollit synon që këto risqe të evidentohen fillimisht përmes kryqëzimit të të dhënave dhe më pas, aty ku anomalitë vazhdojnë, përmes kontrolleve më intensive./ekofin.al

