Nga Mirilda Tili
Krijimi i një sistemi të ri të Byrosë së Kreditit në Shqipëri po hap një debat që shkon përtej thjesht mënyrës se si bankat do të analizojnë një huamarrës. Në thelb të diskutimit qëndron pyetja se sa më shumë informacion duhet të përdoret për të matur besueshmërinë financiare të një individi apo biznesi dhe sa të sigurta janë mekanizmat që garantojnë se ky informacion është i saktë, proporcional dhe i përdorshëm vetëm për qëllimin e duhur.
Dy ekspertët, Elvin Meka dhe Mateo Spaho, në analizën për ekofin.al, bien dakord se një mekanizëm i tillë nuk është domosdoshmërisht negativ në vetvete, por ndahen dukshëm në vlerësimin e dobisë, kostove dhe sidomos rreziqeve që mund të krijohen nga informacioni që do të përpunohet.
Meka: Nuk është thjesht një regjistër kredie
Elvin Meka thekson se termi më i saktë do të ishte “Byro e Besueshmërisë”, pasi funksioni i saj lidhet me vlerësimin e besueshmërisë së një klienti dhe jo vetëm me ekzistencën e një kredie.
Sipas tij, duhet bërë një dallim i qartë mes regjistrit të kredive dhe një byroje krediti.
“Byroja e Kreditit nuk kopjon Regjistrin e Kredive, por mbledh dhe përpunon informacion shumë më masiv dhe të ndjeshëm sesa ky i fundit.”- shprehet Meka.
Në këtë këndvështrim, regjistri i kredive tregon kryesisht marrëdhënien e huamarrësit me huadhënësit, ndërsa një byro krediti do të mund të ndërtonte një panoramë më të gjerë mbi aftësinë, kapacitetin dhe detyrimet financiare të kredikërkuesit.
Meka argumenton se ky informacion mund të vijë nga burime të ndryshme, përfshirë shoqëritë e shërbimeve publike, administratën tatimore, bizneset, noterët, gjykatat dhe QKB-në. Për të, pikërisht kjo e bën Byronë e Kreditit më të vlefshme për menaxhimin e riskut.
“Në terma të rëndësisë dhe menaxhimit të rreziqeve për huadhënësit, ekzistenca e byrosë së kredive është më e rëndësishme sesa ajo e regjistrit të kredive.”
Ai thekson gjithashtu se përdorimi i një sistemi të tillë nuk do të kufizohej vetëm te bankat. Sipas Mekës, edhe vetë bizneset mund të kenë interes të kontrollojnë besueshmërinë e një partneri të mundshëm tregtar.
Kjo, sipas tij, do të ishte veçanërisht e rëndësishme në një ekonomi ku bizneset përballen me rrezikun e partnerëve që nuk shlyejnë furnitorët, kanë probleme me detyrimet fiskale apo operojnë në mënyrë informale.
“Të paguash 30-50 euro për një informacion që i shpëton biznesit tënd ekspozim prej milionash besoj se është një avantazh i madh.”
Spaho: Problemi nuk është Byroja, por informacioni që futet në të
Mateo Spaho nuk e kundërshton në parim krijimin e një Byroje Krediti. Por, për të, çështja nuk është vetëm nëse sistemi është i dobishëm, por nëse informacioni mbi të cilin do të mbështetet sistemi është i saktë dhe nëse ekzistojnë mekanizma të fortë për korrigjimin e gabimeve.
“Krijimi i Byrosë së Kreditit nuk është negative në vetvete, por çështja qëndron se këtë rol deri tani e ka pasur BSH.”
Sipas Spahos, bankat kanë pasur mundësi të kontrollojnë historikun e klientëve përmes Bankës së Shqipërisë, ndaj ai ngre pyetjen se çfarë problemi konkret do të zgjidhë mekanizmi i ri.
Shqetësimi i tij kryesor lidhet me cilësinë e të dhënave që do të furnizojnë Byronë e Kreditit. Ai argumenton se bankat mund të kenë problematika në klasifikimin e kredive, penalitetet dhe regjistrimin e vonesave, sidomos për detyrime me vlera të vogla.
Për ta ilustruar këtë shqetësim, Spaho sjell edhe një përvojë personale:
“Unë vetë jam penalizuar dhe është çuar emri im në BSH për një borxh 300 euro në total që nuk më ishte komunikuar nga ana e specialistëve të asaj banke.”
Sipas tij, raste të tilla mund të krijojnë një paradoks: një sistem që synon të rrisë saktësinë e vlerësimit të riskut mund të prodhojë të kundërtën nëse “lënda e parë” që futet në sistem është e pasaktë.
Çështja më sensitive: të dhënat personale
Debati merr një dimension edhe më të rëndësishëm kur hyn në lojë privatësia dhe mbrojtja e të dhënave personale.
Spaho kërkon qartësi mbi atë se kush do të ketë të drejtë t’i aksesojë të dhënat, për çfarë qëllimi mund të përdoren dhe çfarë ndodh në rast keqpërdorimi.
“Kush ka të drejtë t’i shohë dhe kush jo, për çfarë qëllimi mund të përdoren dhe çfarë masash ka nëse kemi një keqpërdorim të tyre?”
Pikërisht këtu ngrihet një nga pyetjet më të rëndësishme të sistemit: a mjafton të ndërtohet një bazë më e gjerë të dhënash, apo duhet të ndërtohet njëkohësisht edhe një arkitekturë shumë e fortë kontrolli mbi aksesin, përdorimin dhe korrigjimin e tyre? Për Spahon, kjo nuk është një çështje dytësore.
Një tjetër shqetësim i Spahos lidhet me mënyrën se si llogaritet risku kreditor.
“Mund të rrezikojmë të kemi një diskriminim ndaj kreditimit, ndonjë etiketim, ndoshta më të keq seç duhet për personat që mundet të kenë një historik problematik,” thotë ai.
Për Mekën, pikërisht në segmentin e biznesit qëndron një nga përfitimet më të mëdha potenciale të sistemit. Një kompani mund të përdorë informacionin përpara se të lidhë një marrëdhënie tregtare me një partner të ri. Kjo do të mund të ndihmonte në identifikimin e subjekteve me detyrime të pashlyera, probleme fiskale apo histori të dobët pagesash.
Në këtë pikë, Meka e sheh Byronë e Kreditit si një infrastrukturë informacioni për tregun, jo thjesht si një instrument të bankave.
Spaho, ndërkohë, nuk e mohon këtë potencial, por kërkon garanci që informacioni të jetë i saktë dhe përdorimi i tij të mos krijojë pasoja të padrejta.
Kush e kontrollon Byronë?
Një nga pyetjet më të rëndësishme që ngre Spaho lidhet me statusin e institucionit.
Nëse Byroja do të jetë private, ai pyet se përse një operator privat duhet të ketë një pozicion monopolistik mbi një treg kaq sensitiv sa ai i të dhënave financiare.
“Nëse është private, përse po i japim privatit monopol mbi një treg të caktuar siç është ai i të dhënave bankare?”
Nëse një subjekt privat do të administrojë një infrastrukturë me të dhëna kaq të rëndësishme, atëherë rregullimi, mbikëqyrja dhe përgjegjësia e tij bëhen po aq të rëndësishme sa vetë shërbimi që ofron.
Çfarë ndodh kur raporti është i gabuar?
Në fund, të dyja qasjet përmblidhen te një nevojë konkrete: sistemi duhet të ketë mekanizma të qartë korrigjimi.
Spaho kërkon që të përcaktohet se çfarë ndodh kur një raport është i gabuar, kush e korrigjon, brenda sa ditësh dhe cilat janë procedurat për ndryshimin e të dhënave.
Kjo është një pikë thelbësore, sepse një gabim në një faturë mund të korrigjohet; një gabim në një raport besueshmërie mund të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë e një individi apo biznesi për të marrë financim.
Në këtë kuptim, debati për Byronë e Kreditit nuk është vetëm një debat mbi teknologjinë apo financën. Është edhe një debat mbi të drejtën për të pasur një profil financiar të saktë dhe për të mos u penalizuar nga një informacion i gabuar.
Një sistem i ri, por me garanci të vjetra
Nëse për Mekën përfitimi kryesor është reduktimi i asimetrisë së informacionit dhe ulja e riskut për bankat e bizneset, për Spahon sfida kryesore është të sigurohet që ky informacion të mos kthehet në burim të ri risku për qytetarin.
Në thelb, Meka fokusohet te vlera ekonomike e informacionit, ndërsa Spaho te cilësia, privatësia dhe pasojat e përdorimit të tij.
Të dyja këto qasje nuk janë domosdoshmërisht kundërshtuese. Përkundrazi, mund të plotësojnë njëra-tjetrën. Një Byro Krediti mund të jetë e dobishme vetëm nëse informacioni që përpunon është i saktë, i verifikueshëm, proporcional dhe i mbrojtur.
Prandaj, suksesi i sistemit nuk do të matet thjesht me numrin e raporteve që do të prodhojë apo me numrin e bankave dhe bizneseve që do ta përdorin. Ai do të matet me një pyetje shumë më të thjeshtë: a do ta bëjë tregun e kredisë më transparent dhe më të drejtë, pa e kthyer gabimin administrativ në një pengesë financiare për qytetarin? /ekofin.al
