Nuk ka pika të dukshme kontrolli apo kalime kufitare që të prishin bukurinë e shtegut “Peaks of the Balkans” (Majat e Ballkanit), megjithatë nuk është e pazakontë që një ditë e gjatë ecjeje fizike të nisë me një mëngjes të bollshëm në një shtet dhe të përfundojë me një darkë të gatuar në shtëpi, shumë të mirëpritur, në një tjetër, shkruan CNN.
Itinerari rrethor prej rreth 120 miljesh (193 kilometrash) kalon përmes Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës – ndonjëherë disa herë brenda së njëjtës ditë ecjeje – përmes vargmalit të njohur si Bjeshkët e Namuna.
Edhe pse ky emër mund të ketë stepur fillimisht të gjithë, përveç aventurierëve më të vendosur – kryesisht nga Europa Veriore – shtegu, që ndryshon vazhdimisht, po tërheq tashmë vizitorë nga e gjithë bota, të cilët vijnë për të zbuluar majat e larta gëlqerore, liqenet akullnajore, livadhet e mbuluara me lule të egra dhe pyjet e lagështa të mbështjella nga retë. Ato ofrojnë një qetësi që rrallë gjendet në pjesët jugore të kontinentit.
Malet e kanë marrë emrin pikërisht nga kushtet e tyre të ashpra sezonale. Emërtimi përshtatet po aq mirë edhe me izolimin e periudhës së Luftës së Ftohtë, kur pjesë të tëra të tyre ishin të ndaluara për t’u vizituar.
Sot, ato janë bërë shtëpia e asaj që mund të konsiderohet si një nga zonat e fundit të mëdha të egra të Evropës, një peizazh që e ka ngritur shtegun Peaks of the Balkans pranë majës së listës së shtigjeve më të mira ndërkufitare të ecjes në botë.
Për ta përshkuar nuk nevojiten aftësi teknike alpinizmi, por kjo nuk është aspak një shëtitje e lehtë. Terreni i thyer kërkon çizme të forta, një çantë shpine të përgatitur me kujdes dhe një nivel të mirë forme fizike.
Ngjitjet janë të pjerrëta dhe i gjithë shtegu ka një ngjitje të akumuluar prej afro 10 mijë kilometrash, shumë më tepër se lartësia e Everestit. Këshillohet përgatitje fizike para udhëtimit, si edhe përdorimi i shkopinjve të ecjes.
Kjo bëhet shumë e qartë gjatë vapës së një dite vere, kur pjesët në ngjitje duken sikur nuk mbarojnë kurrë, duke u kthyer në një përpjekje të ngadaltë dhe të lodhshme. As zbritjet nuk janë të lehta, pasi kërkojnë hapa të kujdesshëm dhe ekuilibër të qëndrueshëm.
Por shpërblimi ia vlen. Përpjekja fizike kompensohet nga pamjet madhështore në çdo majë, ku mund të ndalesh për të marrë frymë dhe për të admiruar në heshtje përmasat mbresëlënëse të natyrës përreth.
Një nga momentet më të bukura është pushimi, dreka dhe një zhytje në ujërat e akullta të Liqenit të Hridit në Malin e Zi, që ndodhet më shumë se një milje mbi nivelin e detit. Qielli blu pa re, pyjet e vjetra të gjelbra dhe uji i kthjellët krijojnë një peizazh që duket sikur është bërë për sfond ekrani.
Shumë pjesë të shtegut Peaks of the Balkans – i cili mund të përfundohet në 10 ditë ose të ndahet në segmente më të shkurtra – ndjekin rrugë tradicionale tregtare që për pjesën më të madhe të shekullit XX u mbyllën për shkak të ndarjeve gjeopolitike.
Rajoni ishte një zonë e rrezikshme dhe e ruajtur fort gjatë Luftës së Ftohtë, diçka që ende shihet qartë në Shqipëri, ku peizazhi është i mbushur me bunkerë betoni të braktisur, të ndërtuar gjatë regjimit të ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Për më shumë se katër dekada, shqiptarëve u ishte ndaluar të largoheshin nga vendi për shkak të politikave thellësisht izolacioniste të diktaturës, të cilat i sollën Shqipërisë nofkën “Koreja e Veriut e Europës”.
Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi u prekën fort nga rënia e bllokut sovjetik, shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat që pasuan në vitet 1990 dhe në fillim të shekullit XXI. Përgjatë rrugës ka pak kujtime të asaj periudhe, përveç bunkerëve të braktisur dhe ndonjë mjeti të vjetër ushtarak. Dhe ndoshta kjo është më mirë, pasi shumë njerëz mendojnë se temat e qeverisjes, politikës dhe nacionalizmit duhen lënë jashtë këtyre zonave paqësore.
Në fakt, kur u hap në vitin 2006, itinerari i ecjes u quajt fillimisht “shtegu i paqes”, si pjesë e përpjekjeve për të ndryshuar perceptimin ndërkombëtar për Ballkanin.
“Pjesa më e madhe e botës e njeh këtë rajon për shkak të konfliktit dhe luftërave”, thotë Dušan Dragosavljević, një guidë e shtegut, njohuritë e hollësishme të të cilit për terrenin i mundësojnë të tregojë se ku një pjesë e pyllit të dendur kalon, pa asnjë shenjë të dukshme, në territorin e një shteti fqinj.
“Prandaj mendoj se shtegu Peaks of the Balkans është një mënyrë shumë e mirë për ta ndryshuar këtë imazh dhe të gjithë narrativën.”
Një botë tjetër

Në varësi të buxhetit, angazhimi i një guide profesioniste si Dragosavljević – i cili udhëheq udhëtime për kompaninë serbe A.C.E. Adventure – mund të jetë një investim i arsyeshëm, jo vetëm për shkak të njohurive të tij për itinerarin, i cili në shumë pjesë nuk është i sinjalizuar mirë, por edhe për informacionin e gjerë që ai ka për rajonin.
Ai e përshkoi për herë të parë të gjithë shtegun në vitin 2017. Në fillimet e tij, thotë ai, itinerari frekuentohej kryesisht nga guida malore, dashamirës të natyrës dhe alpinistë seriozë. Interesi më i gjerë filloi të rritej pasi kufizimet e Covid-it nisën të hiqeshin, por në shumë drejtime kjo mbetet ende një pjesë pak e zbuluar e Europës.
“Ka shumë territore të reja për t’u eksploruar, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë”, thotë Dragosavljević. “Ballkani ka shumë për të ofruar, jo vetëm në aspektin e natyrës dhe bukurisë, por edhe të mikpritjes dhe kulturës.”
“Nuk jam i sigurt nëse njerëzit e dinë, për shembull, se kur je në Ballkan dhe nuk ke ku të qëndrosh apo je i uritur dhe nuk ke ushqim, njerëzit do të të ndihmojnë – njerëzit e Ballkanit janë shumë mikpritës.”
Ai thotë se shtegu ka transformuar jetën e shumë banorëve të zonës. Fermerët që dikur mezi siguronin jetesën duke kultivuar tokën dhe rritur bagëti në këtë terren të vështirë, sot po plotësojnë të ardhurat e tyre përmes turizmit.
Adis Balić, i cili drejton restorantin dhe bujtinën Grlja në Vusanje, një fshat malazez pranë kufirit me Shqipërinë, është një prej tyre.
“Gjithçka në jetën tonë këtu ka ndryshuar që nga hapja e shtegut”, thotë ai, ndërsa pi një kafe të trashë turke dhe një qenush endacak bezdis klientët në stolat e piknikut aty pranë.
Balić, i cili drejton edhe një biznes të dytë në qytetin e afërt të Gusinjes, thotë se familje si e tija ishin në një situatë ekonomike “mjaft të dobët” përpara se shtegu të hapej zyrtarisht, kur udhëtarët me çanta shpine shiheshin shumë rrallë.
“Gjatë ditës mund të shihje ndoshta dy ose tre njerëz me çanta shpine dhe shumica e banorëve të zonës i shikonin çuditshëm, sikur të thoshin ‘çfarë po bëjnë këta?’. Ishte një pamje krejt tjetër atëherë.”
Restoranti dhe bujtina e tij, e hapur shtatë vjet më parë, mban emrin e ujëvarës mbresëlënëse që tërheq vendasit dhe turistët vetëm pak hapa larg. Ajo ofron 15 shtretër në katër dhoma, megjithëse shumica e vizitorëve që kalojnë aty flenë në tenda.
“Kur nisëm biznesin kishim rreth 400 kampistë në vit, ndërsa këtë sezon kemi më shumë se 3,400 kampistë”, thotë ai. “Ka ecur vërtet shumë mirë.”
Shtegu vazhdon të mbetet kryesisht i paprekur nga turizmi masiv. Sezoni kulmor zgjat nga qershori deri në shtator. Edhe maji dhe tetori janë mundësi, por në këta muaj ekziston rreziku i dëborës dhe ka më pak zgjedhje për ushqim dhe akomodim.
Grlja ofron ushqime tradicionale, të përgatitura kryesisht me produkte të kultivuara dhe prodhuara nga familja e Balić. Ka një bollëk gatimesh me mish, të pjekura në skarë dhe të shoqëruara me sallata, djathëra shtëpie dhe salca, përfshirë ajvarin, përzierjen e pasur të specave dhe patëllxhanëve të pjekur ngadalë, që është pjesë e zakonshme e tryezave përgjatë shtegut.
“Babai im i mbledh perimet në mëngjes dhe në mbrëmje i kemi në tavolinë”, thotë ai.
Në vitet e para, shumica e vizitorëve të shtegut vinin nga Gjermania, Belgjika dhe Holanda. Sot ai tërheq jo vetëm alpinistë dhe turistë, por edhe malazezë që jetojnë jashtë vendit dhe kthehen gjatë verës nga Shtetet e Bashkuara, Europa Perëndimore dhe vende të tjera.
“Nuk ka kombësi që nuk vijnë”, thotë Balić. “Kemi australianë, neozelandezë… në thelb njerëzit vijnë nga e gjithë bota.”
“Ajo që i mahnit më shumë janë malet – pamjet dhe mënyra sesi janë ruajtur. Ndërsa ajo për të cilën janë më mirënjohës janë ushqimet tradicionale dhe mikpritja.”
Balić mbikëqyr personalisht kuzhinën e vogël që ndodhet poshtë dhomave të bujtinës, duke u siguruar që gjithçka që shërbehet të ketë standard të lartë.
“Unë nuk i shoh vizitorët si turistë që do të vijnë vetëm një herë dhe nuk do të kthehen më”, thotë ai. “Mesazhi im është: ju nuk jeni thjesht para, jeni klientë afatgjatë dhe unë do të sigurohem që kushdo që vjen këtu të ushqehet mirë dhe të largohet me një ndjesi të mirë.”
Kjo mikpritje është e dukshme përgjatë gjithë shtegut, ku banorët e maleve u kanë hapur vizitorëve një dritare drejt mënyrës tradicionale të jetesës, ndërsa kafshët e fermave lëvizin lirshëm përreth tyre.
Tabelat që ofrojnë gatime shtëpie si bakllava, kek me mjedra dhe kos të trashë me mjaltë të prodhuar nga bletët e tyre, krahas pijeve të ftohta, janë një pamje shumë e mirëpritur për ecësit e lodhur. Po aq të mirëpritura janë edhe kushtet, sado modeste, të tualeteve që ofrojnë njëfarë privatësie.
“Është e përkryer”

Në Shqipëri, Kujtim Gocaj drejton një bujtinë komode që mban emrin e tij në fshatin e largët të Ceremit. Oficeri 63-vjeçar i policisë e menaxhon biznesin si aktivitet dytësor prej 14 vitesh, por shpreson që ai të bëhet angazhimi i tij kryesor kur të dalë në pension pas dy vjetësh.
“E nisa për të pasur një të ardhme”, thotë ai, duke folur përmes dhëndrit të tij anglishtfolës, ndërsa shërben ushqimin dhe pastron tavolinat.
Fillimisht ai e zhvillonte aktivitetin vetëm në një ndërtesë, përpara se në vitin 2019 të shtonte një strukturë të re prej druri pishe, me shumë hapësirë të jashtme dhe pamje panoramike për vizitorët. Sot prona mund të akomodojë deri në 36 persona, në një kombinim konviktesh dhe dhomash private me banjë.
“E rrita nga diçka e vogël në atë që është sot”, thotë ai. “Në fillim ishte e vështirë, por tani është shumë më mirë. Njerëzit e duan këtë vend dhe të gjithë në zonë e njohin.”
Përfitimet për Gocajn dhe familjen e tij nuk janë vetëm financiare.
“As nuk mund ta shpjegoj sa mirë është”, thotë ai. “Mësojmë kaq shumë nga të gjithë njerëzit që vijnë këtu prej të gjithë botës – është si një shkollë. Është e përkryer.”
Me motin e tyre jashtëzakonisht të paparashikueshëm, Bjeshkët e Namuna vazhdojnë herë pas here t’i bëjnë nder emrit të tyre. Stuhi të fuqishme mund ta godasin shtegun dhe të zgjasin për orë të tëra, duke prishur planet e ecjes dhe duke u lënë vizitorëve pak zgjidhje përveçse të strehohen në akomodimet e thjeshta përgjatë rrugës, shpesh kasolle të dikurshme barinjsh.
“Dimri është katastrofik”, thotë Balić. “Është krejt normale këtu të kemi një metër dëborë dhe më pas gjithçka mbyllet.”
Ai beson se, me disa investime në sportet dimërore, rajoni mund ta zgjasë sezonin turistik përtej muajve të ecjeve malore.
“Duhet vetëm një teleferik skish dhe njerëzit do të vinin me ski. Do të ishte shumë mirë.”
Për momentin kjo duket ende një perspektivë e largët, por ndoshta jo e pamundur, duke parë se sa shumë ka nisur rajoni të tërheqë vizitorë nga vende gjithnjë e më të largëta.

