Shqipëria po hyn në sezonin veror me një numër dukshëm më të lartë vizitorësh në strukturat akomoduese. Në qershor 2026 u regjistruan 586.6 mijë vizitorë, kundrejt 501.2 mijë një vit më parë, ndërsa net-qëndrimet u rritën me 9.8%. Rritja e turistëve të huaj është shumë më e fortë se ajo e rezidentëve, ndërsa zonat bregdetare mbajnë pjesën dërrmuese të kërkesës. Por diferenca mes rritjes së vizitorëve dhe net-qëndrimeve ngre një pyetje për modelin e turizmit shqiptar: po vijnë më shumë turistë, por sa gjatë po qëndrojnë?
Turizmi shqiptar vijon të zgjerohet, por të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se rritja nuk duhet matur vetëm me numrin e turistëve që hyjnë në vend.
Në qershor 2026, numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike arriti në 586.6 mijë, nga 501.2 mijë në qershor 2025. Kjo përkthehet në një rritje vjetore prej 17%.
Por kur matet aktiviteti përmes net-qëndrimeve, rritja është më e moderuar: 9.8%. Kjo diferencë prej më shumë se 7 pikësh përqindjeje mes rritjes së vizitorëve dhe rritjes së net-qëndrimeve është një nga treguesit më interesantë të statistikave të reja.
Këto të dhëna sugjerojnë se zgjerimi i turizmit po vjen më shumë nga rritja e numrit të personave që akomodohen sesa nga zgjatja e qëndrimit të tyre.
Të huajt janë motori kryesor i rritjes
Rritja e vizitorëve nuk është e njëjtë mes turistëve rezidentë dhe atyre jo-rezidentë. Vizitorët rezidentë u rritën me 7%, ndërsa vizitorët jo-rezidentë, pra kryesisht turistët e huaj, u rritën me 20.6%.
Në terma absolutë, në strukturat akomoduese u regjistruan:
- 140.8 mijë vizitorë rezidentë, nga 131.5 mijë në qershor 2025;
- 445.8 mijë vizitorë jo-rezidentë, nga 369.7 mijë një vit më parë.
Pra, rreth tre në çdo katër vizitorë të regjistruar në strukturat akomoduese në qershor ishin jo-rezidentë, të huaj.
Edhe pse në numra Shqipëria po tërheq më shumë turistë, por qëndrimi nuk po rritet me të njëjtin ritëm Të dhënat e net-qëndrimeve japin një pamje më të thellë. Në total, net-qëndrimet u rritën me 9.8%. Net-qëndrimet e rezidentëve u rritën me 11.8%, ndërsa ato të jo-rezidentëve me 9.2%.
Pra, edhe pse numri i turistëve të huaj u rrit me 20.6%, net-qëndrimet e tyre u rritën vetëm me 9.2%.
Për ekonominë turistike, nuk ka të njëjtin efekt një turist që qëndron një natë dhe një turist që qëndron një javë. Qëndrimi më i gjatë gjeneron më shumë konsum në akomodim, restorante, transport, aktivitete turistike, argëtim dhe tregti lokale.
Në zonat bregdetare u regjistruan 98.8 mijë vizitorë rezidentë dhe 323.4 mijë jo-rezidentë. Në zonat jo-bregdetare numri ishte shumë më i ulët: 42 mijë rezidentë dhe 122.4 mijë jo-rezidentë.
Pra, rreth 72% e vizitorëve jo-rezidentë u akomoduan në zonat bregdetare. Kjo tregon se deti mbetet magneti kryesor i turizmit shqiptar.
Por njëkohësisht tregon edhe një dobësi strukturore: varësinë e lartë të kërkesës turistike nga destinacionet bregdetare.
Nëse Shqipëria synon një turizëm më të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, potenciali i zonave malore, historike, kulturore, rurale dhe natyrore duhet të shndërrohet në produkte turistike që krijojnë kërkesë edhe jashtë muajve të verës.
Jugu rritet, Veriu fiton terren, Qendra humbet vizitorë rezidentë
Të dhënat sipas rajoneve tregojnë një dinamikë interesante. Në Rajonin e Veriut, vizitorët rezidentë u rritën nga 34.6 mijë në 38.1 mijë, ndërsa jo-rezidentët nga 97.3 mijë në 123.3 mijë. Në Rajonin e Jugut, vizitorët rezidentë u rritën nga 56.5 mijë në 64.7 mijë, ndërsa jo-rezidentët nga 118.2 mijë në 141.4 mijë. Ndërkohë, Rajoni Qendër pati një zhvillim më të përzier: vizitorët jo-rezidentë u rritën nga 154.2 mijë në 181.2 mijë, ndërsa vizitorët rezidentë ranë nga 40.4 mijë në 38 mijë.
Pra, rritja e turistëve të huaj është e pranishme në të tre rajonet, ndërsa struktura e kërkesës së brendshme është më e ndryshme.
Kjo mund të jetë një mundësi për destinacionet jashtë trekëndëshit tradicional të turizmit masiv.
Kosova, Italia dhe Polonia kryesojnë
Profili i turistit të huaj është gjithashtu i rëndësishëm për biznesin.
Në qershor, 15% e vizitorëve të huaj vinin nga Kosova, 14% nga Italia dhe 13% nga Polonia.
Franca dhe Gjermania përbënin secila nga 7%, ndërsa 44% vinin nga vende të tjera.
Kjo strukturë tregon dy gjëra.
Së pari, Shqipëria ka tregje të konsoliduara të origjinës, veçanërisht Kosovën dhe Italinë.
Së dyti, pjesa prej 44% nga tregje të tjera tregon një diversifikim të konsiderueshëm të burimeve të turistëve.
Për sektorin privat, kjo është e rëndësishme sepse diversifikimi i tregjeve ul varësinë nga një numër i kufizuar vendesh dhe krijon hapësirë për strategji të ndryshme marketingu.
Hotelet mbajnë pjesën kryesore të tregut
Rritja e turizmit reflektohet edhe në llojet e akomodimit.
Në hotele dhe struktura të ngjashme u regjistruan:
126.9 mijë rezidentë dhe 401.8 mijë jo-rezidentë.
Në akomodimet për pushime dhe strukturat e tjera afatshkurtra u regjistruan:
13.1 mijë rezidentë dhe 39.5 mijë jo-rezidentë.
Ndërkohë, kampingjet dhe hapësirat për çadra apo rulota kishin 757 rezidentë dhe 4.6 mijë jo-rezidentë.
Kjo tregon se hoteli tradicional mbetet infrastruktura dominuese e akomodimit turistik në Shqipëri, edhe pse format alternative po shfaqin rritje.
Hotelet shfrytëzohen më shumë
Një tjetër sinjal pozitiv vjen nga norma e shfrytëzimit të dhomave.
Në qershor 2026, 41.3% e dhomave në hotele u shfrytëzuan, kundrejt 39.5% një vit më parë.
Pra, norma u rrit me 1.8 pikë përqindjeje.
Kjo është një e dhënë e rëndësishme për investitorët dhe operatorët hotelierë.
Rritja e numrit të vizitorëve po shoqërohet edhe me rritje të përdorimit të kapaciteteve ekzistuese.
Por 41.3% gjithashtu tregon se një pjesë e konsiderueshme e kapaciteteve mbetet ende e pashfrytëzuar në muajin qershor. Këtu shfaqet një nga sfidat kryesore të modelit turistik shqiptar: sezonaliteti./ekofin.al

