Diçka misterioze po ndodh në botën e librave të përdorur.
Gjatë muajve të fundit, librashitës të pavarur kanë vënë re një model të pazakontë blerjesh: dhjetëra e dhjetëra libra nga stoqet e tyre po dërgohen drejt magazinave të largëta.
Në një javë të zakonshme, Stuart Manley, nga Barter Books në Northumberland, shet dy deri në tre mijë libra. Por së fundmi, vetëm një porosi e madhe nga një kompani kanadeze ishte sa vëllimi i shitjeve që ai normalisht do të realizonte për shtatë ditë.
Ai thotë se “nuk ka parë kurrë diçka të tillë në 30 vjet në tregtinë e librave të përdorur”.
Dhe Manley nuk është i vetëm. Librashitës nga e gjithë bota kanë raportuar porosi të ngjashme, jashtëzakonisht të mëdha.
Ata nuk e dinë me siguri se cili është destinacioni përfundimtar i këtyre librave.
Por dyshimi është se ato nuk po blihen nga lexues të apasionuar jashtë vendit. Mund të jenë duke përfunduar tek diçka tjetër, me një uri të pangopur për informacion të ri: inteligjenca artificiale.
Beteja gjyqësore për librat
Ideja se bumi i shitjeve të librave të përdorur po nxitet nga rritja shpërthyese e inteligjencës artificiale lidhet me një vendim gjykate në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2025, një gjykatës vendosi se përdorimi i librave të blerë në këtë mënyrë për të trajnuar programe të inteligjencës artificiale nuk përbënte shkelje të ligjit amerikan për të drejtën e autorit.
Vendimi erdhi si rezultat i një padie të ngritur kundër kompanisë së inteligjencës artificiale Anthropic nga tre autorë. Në vendimin e tij, gjykatësi William Alsup tha se përdorimi nga Anthropic i librave të autorëve ishte “jashtëzakonisht transformues” dhe, për këtë arsye, lejohej sipas ligjit amerikan.
Kur dokumentet e gjykatës u bënë publike muajin e kaluar, doli gjithashtu se libra po shkatërroheshin gjatë procesit të trajnimit të chatbot-it Claude të Anthropic.
“Claude trajnohet me një kombinim të të dhënave të disponueshme publikisht në internet, databazave të blera në mënyrë komerciale dhe të dhënave që prodhojmë vetë”, tha një zëdhënës i kompanisë.
Anthropic këmbënguli se sigurimi i librave për trajnim është një praktikë e përdorur gjerësisht në industrinë e inteligjencës artificiale.
“Asnjë nga programet tona për sigurimin e të dhënave nuk blen dhe nuk shkatërron libra të rrallë apo antikuarë”, shtoi zëdhënësi.
Megjithatë, ideja se libra po copëtohen dhe asgjësohen po shkakton shqetësim.
David Tobin, i cili drejton Walden Books në veri të Londrës, gjithashtu ka pasur shitje të pazakonta.
“Në një farë mënyre është shumë mirë të shesësh disa nga këta tituj që nuk janë shitur prej shumë vitesh, por do të ishte për të ardhur keq nëse në fund do të shkatërroheshin”, thotë ai.
Skanimi shkatërrues
Dokumentet gjyqësore që lidhen me çështjen Anthropic zbuluan se projekti për përthithjen e përmbajtjes së librave të vjetër përmendej në komunikimet e brendshme të kompanisë si “Project Panama”.
Sipas dokumenteve, synimi i kompanisë ishte që të “skanonte në mënyrë shkatërruese të gjithë librat në botë”.
Skanimi shkatërrues është procesi gjatë të cilit librat dërgohen në qendra ku mund të digjitalizohen në shkallë industriale.
Procesi përfshin heqjen e shpinës së librit, në mënyrë që të gjitha faqet të skanohen me shpejtësi, ndërsa mbetjet e librit më pas riciklohen.
“Ka shumë mister rreth Project Panama”, thotë Manley nga Barter Books.
“Emri është i ri për mua, por realiteti i projektit jo dhe është diskutuar gjerësisht në forumet e librashitësve.”
Ai nuk e di nëse librat e tij po blihen pikërisht për këtë projekt apo për iniciativa të ngjashme të kompanive të tjera të inteligjencës artificiale.
Por, sipas tij, është gjithashtu e vështirë të gjendet një shpjegim tjetër për shitjet, të cilat duken krejtësisht rastësore dhe “pa asnjë logjikë të dukshme”.
Librat e blerë variojnë nga tekste të panjohura në latinisht deri te romane me kauboj.
Ekspertët thonë se pikërisht kjo shumëllojshmëri tematike mund të jetë një tjetër tregues se pas blerjeve qëndron inteligjenca artificiale, pasi tekstet e pazakonta dhe të rralla mund të ofrojnë material të ri për të përmirësuar trajnimin e modeleve të mëdha gjuhësore, teknologjia që qëndron në themel të mjeteve të IA-së gjeneruese, si chatbot-et.
Profesorja Emily Hudson, specialiste e pronësisë intelektuale në Universitetin e Oksfordit, thotë se ligjet për të drejtën e autorit në Mbretërinë e Bashkuar ndryshojnë nga ato të Shteteve të Bashkuara.
“Pikënisja në Mbretërinë e Bashkuar është se të gjitha këto veprime të kopjimit – krijimi i bibliotekës së trajnimit dhe vetë procesi i trajnimit – kërkojnë lejen e mbajtësit të së drejtës së autorit”, thotë ajo.
Shqetësimet etike
Për librashitësit, kjo situatë krijon një dilemë.
Ata ndihen të parehatshëm nga ideja se librat mund të shkatërrohen, edhe pse pranojnë se jo çdo titull ka domosdoshmërisht nevojë të ruhet.
“Një tekst akademik i botuar së fundmi vetëm në 100 kopje, 75 prej të cilave ndodhen tashmë në biblioteka, mund të jetë shumë i rrallë në treg, por ndoshta nuk është një humbje aq e madhe nëse një kopje shkatërrohet”, thotë Derek Walker, pronar i librarisë McNaughtan’s në Edinburg.
“Por ne kemi pasur dhe kemi shitur libra që janë, për shembull, e vetmja kopje e njohur e mbijetuar e një botimi të shekullit XVIII.
“Do të ishte një problem shumë më serioz nëse një libër i tillë do të blihej për t’u shkatërruar, pasi ka mbijetuar për kaq gjatë.”
Ndërkohë, Manley thotë se riciklimi i librave mund të jetë një zgjidhje e mirë për shumë tituj që publiku nuk i dëshiron më në raftet e veta, veçanërisht kur kjo sjell edhe një rritje të shitjeve.
“Disa mund të kenë shqetësime etike për destinacionin përfundimtar të librave dhe nëse ata shkatërrohen”, thotë ai.
“Por botës nuk i duhen më pesë milionë kopje të The Da Vinci Code.
“Kam pasur libra të reklamuar në internet për 20 vjet që nuk ishin shitur kurrë, deri tani.”/Përshtati nga BBC, ekofin.al
