Shqipëria del si përjashtim në Ballkanin Perëndimor për arsyet që po i shtyjnë bizneset drejt tranzicionit të gjelbër. Vetëm 35% e bizneseve shqiptare të anketuara e përmendin uljen e kostove si motiv për marrjen e masave mjedisore, shumë më pak se në Malin e Zi me 64%, Serbi me 61% dhe Maqedoninë e Veriut me 59%.
OECD e lidh këtë diferencë me strukturën e ekonomisë shqiptare. Shqipëria ka një bazë prodhuese më të vogël dhe një sektor energjetik të dominuar nga hidrocentralet, çka deri tani ka zbutur presionin e drejtpërdrejtë të kostove të energjisë mbi kompanitë krahasuar me disa vende të tjera të rajonit.
Por presioni për t’u gjelbëruar po vjen gjithnjë e më shumë nga një drejtim tjetër: tregu evropian. Më shumë se dy të tretat e eksporteve të Shqipërisë shkojnë drejt BE-së dhe kompanitë europiane po u kërkojnë gjithnjë e më shumë furnitorëve të tyre informacion për performancën mjedisore. Sipas OECD-së, kërkesat e raportimit të kompanive të mëdha në BE po transmetohen gradualisht përgjatë zinxhirit të furnizimit edhe te SME-të e Ballkanit Perëndimor.
Kjo e ndryshon arsyen ekonomike për tranzicionin e gjelbër. Për shumë kompani shqiptare, veçanërisht ato që prodhojnë për eksport apo furnizojnë kompani europiane, investimet mjedisore nuk lidhen më vetëm me faturën e energjisë. Ato po kthehen gjithnjë e më shumë në një kusht për të ruajtur klientët dhe aksesin në treg.
OECD paralajmëron se ky presion do të forcohet me zbatimin financiar të Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufij, CBAM, dhe me rregullat e tjera të Green Deal. Në nivel rajonal, përputhshmëria me rregullat është aktualisht motiv për gjelbërim për 36% të bizneseve, por OECD pret që pesha e saj të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme.
Raporti e vendos çështjen edhe më drejtpërdrejt: performanca mjedisore po bëhet faktor i konkurrueshmërisë dhe i hyrjes në tregun e BE-së. CBAM ka nisur zbatimin e tij në fazën financiare, ndërsa kërkesat europiane për raportim po arrijnë edhe SME-të që nuk kanë vetë detyrime të drejtpërdrejta raportimi, por janë pjesë e zinxhirëve të furnizimit të kompanive të mëdha.
Për biznesin shqiptar, avantazhi relativ i energjisë së prodhuar nga burime hidrike mund të ketë ulur deri tani presionin për kursim, por nuk eliminon një presion tjetër që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm: pa standarde dhe të dhëna mjedisore, mund të bëhet më e vështirë të shesësh në BE./ekofin.al
