Depozitat në sistemin bankar kanë vijuar zgjerimin me ritme të larta gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa një ndryshim i rëndësishëm po ndodh në mënyrën se si shqiptarët zgjedhin të mbajnë kursimet. Për herë të parë në dekadën e fundit, depozitat në lekë kanë kaluar ato në valutë, duke zënë 50.1% të totalit.
Të dhënat bëhen të ditura në Raportin Tremujor të Politikës Monetare 2026/III të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit depozitat u rritën me 12% në terma vjetorë gjatë tremujorit të dytë, me kontribut pozitiv nga të gjithë komponentët.
Rritja më e fortë është regjistruar te kursimet në monedhën kombëtare. Depozitat në lekë u zgjeruan me 13.5% krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë e lidh këtë ecuri me thellimin e ndërmjetësimit financiar në monedhën vendase, zgjerimin e ofertës monetare në lekë dhe prirjen e individëve dhe bizneseve për t’i mbajtur apo investuar kursimet përmes sistemit bankar.
Në të kundërt, depozitat në valutë u rritën me një ritëm më të ngadaltë prej 10.5% në terma vjetorë. Në këtë segment, kontributi kryesor ka ardhur nga bizneset, në një periudhë kur aktiviteti turistik dhe hyrjet e valutës në ekonominë shqiptare kanë qenë në rritje.
Diferenca mes ritmeve të rritjes së dy monedhave nuk është një zhvillim i momentit. Sipas Bankës së Shqipërisë, prej më shumë se një viti depozitat në lekë po zgjerohen më shpejt se ato në valutë. Efekti tashmë është reflektuar edhe në strukturën e kursimeve: depozitat në monedhën kombëtare përfaqësojnë rreth 50.1% të totalit, duke marrë për herë të parë në dhjetë vitet e fundit peshën më të madhe në portofolin e depozitave.
Edhe individët kanë vijuar të shtojnë kursimet. Depozitat e tyre u rritën me 9.8% në terma vjetorë, me zgjerimin të përqendruar kryesisht te depozitat në lekë, ndërkohë që kursimet në valutë kanë shfaqur ngadalësim.
Banka e Shqipërisë evidenton se rritja e depozitave në lekë të individëve sinjalizon edhe një zhvendosje të një pjese të kursimeve nga letrat me vlerë drejt depozitave bankare.
Edhe më e fortë ka qenë rritja e depozitave të bizneseve. Në fund të tremujorit të dytë, ato rezultuan 20.7% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në rastin e bizneseve, zgjerimi është mbështetur kryesisht nga depozitat në valutë, në linjë edhe me shtimin e aktivitetit ekonomik dhe hyrjeve valutore.
Por, krahas monedhës, po ndryshon edhe mënyra se si mbahen kursimet në banka. Depozitat pa afat kanë dhënë kontributin kryesor në rritjen vjetore të kursimeve prej më shumë se një viti dhe tashmë përfaqësojnë 56.4% të portofolit total, një nivel pranë maksimumeve historike.
Kjo tregon një preferencë gjithnjë e më të madhe të depozituesve për t’i pasur paratë të disponueshme dhe likuide, në vend që t’i bllokojnë për periudha të gjata.
Edhe brenda depozitave me afat, interesi është përqendruar te maturitetet deri në dy vjet. Depozitat me afat mbi dy vjet kanë humbur terren dhe pesha e tyre ka zbritur në 18.1% të totalit, lehtësisht më poshtë se nivelet e vitit 2024.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo prirje lidhet si me ngushtimin e diferencës së normave të kthimit ndërmjet maturiteteve të ndryshme, ashtu edhe me preferencën e individëve për të ruajtur një shkallë më të lartë likuiditeti të kursimeve.
Të dhënat e tremujorit të dytë konfirmojnë kështu jo vetëm rritjen e fortë të kursimeve në sistemin bankar, por edhe një ndryshim të dukshëm të strukturës së tyre: leku po fiton terren ndaj valutës, ndërsa depozituesit po favorizojnë gjithnjë e më shumë depozitat pa afat dhe maturitetet më të shkurtra. /ekofin.al
