Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur dy procedura prokurimi, me vlerë të përgjithshme të fondit limit rreth 1.66 miliardë lekë, nga mbi 833 milionë lekë secili në kuadër të fazës së katërt të rehabilitimit të stokut të banesave në 12 qarqet e vendit.
Njëra procedurë i referohet stokut të banesave në Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër, ndërsa tjetra është për qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Dibër.
Sipas njoftimit të publikuar, fondi limit i procedurës është 833.3 milionë lekë pa TVSH, për njërën nga procedurat ose rreth 8.93 milionë euro, ndërsa financimi është parashikuar në programet buxhetore të qeverisë për periudhën 2026–2028. Procedura zhvillohet si prokurim i hapur mbi kufirin e lartë monetar, në formën e një marrëveshjeje kuadër me një operator ekonomik.
Në fokus të projektit është rehabilitimi i ndërtesave ekzistuese të banimit, veçanërisht përmes ndërhyrjeve në fasada dhe aplikimit të sistemeve termoizoluese. Synimi është që pallatet dhe blloqet e banimit të përmirësohen jo vetëm në aspektin estetik, por edhe në performancën e tyre energjetike.
Një nga komponentët kryesorë të investimit është sistemi “kapotë” dhe termoizolimi i fasadave. Këto ndërhyrje synojnë reduktimin e humbjeve të energjisë gjatë dimrit dhe verës, duke ndikuar në përmirësimin e komfortit termik në banesa dhe në uljen e nevojës për përdorimin intensiv të sistemeve të ngrohjes dhe ftohjes.
Përtej eficiencës energjetike, rehabilitimi i fasadave pritet të ndikojë edhe në mbrojtjen e ndërtesave nga faktorët atmosferikë dhe në zgjatjen e jetëgjatësisë së tyre.
Projekti synon gjithashtu një transformim më të gjerë të mjedisit urban. Rehabilitimi i blloqeve të banimit pritet të sjellë një pamje më të rregullt dhe bashkëkohore të lagjeve, duke përmirësuar cilësinë e hapësirës së përbashkët dhe perceptimin e qytetit.
Ndërhyrje të tilla kanë një efekt të drejtpërdrejtë edhe te banorët, pasi përmirësimi i fasadave dhe kushteve fizike të ndërtesave shoqërohet me rritjen e cilësisë së jetesës dhe potencialisht të vlerës së pronave. /ekofin.al
