Kur Kazakistani u bë një nga qendrat më të mëdha në botë për mining me kriptovalutat pesë vjet më parë, bumi vendosi nën presion rrjetin elektrik të vendit. Përgjigjja e qeverisë bëri që shumica e “minatorëve” të largoheshin nga vendi ose të kalonin në aktivitet ilegal.
Tani qeveria kazake po përpiqet t’i rikthejë ata në vend, duke ofruar lehtësime tatimore dhe siguri ligjore.
Qeveria kazake ka miratuar një dekret që synon të nxisë qytetarët të deklarojnë asetet e tyre në kriptovaluta, t’i transferojnë ato në platformat vendase të rregulluara dhe të integrojnë asetet dixhitale në ekonominë e vendit.
Autoritetet po u ofrojnë investitorëve privatë një përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat personale nga transaksionet me asetet dixhitale për një periudhë trevjeçare, me kusht që këto asete të mos jenë të lidhura me mashtrime, pastrim parash apo shërbime kriptovalutash të palicencuara.
Vendimi hap gjithashtu rrugën për lehtësimin e aktivitetit të minatorëve në vend dhe për përfitime më të mëdha nga industria.
Bumi i kriptovalutave u ndërpre
Minimi i kriptovalutave përdor kompjuterë të fuqishëm për të zgjidhur probleme komplekse matematikore, në mënyrë që të verifikohen dhe shtohen transaksionet në një blockchain – regjistri ku ruhet historia e transaksioneve të një kriptomonedhe.
Minatorët që i zgjidhin me sukses këto probleme shpërblehen me kriptovaluta, të cilat depozitohen drejtpërdrejt në kuletat e tyre dixhitale. Në raste si Bitcoin, këto shpërblime mund të sjellin fitime të konsiderueshme.
Ana negative është konsumi i lartë i energjisë, pasi këto llogaritje kërkojnë fuqi të vazhdueshme përpunimi.
Pas ndalimit të minimit të Bitcoin në Kinë në vitin 2021, shumë minatorë nisën të kërkonin vende të reja me energji me kosto të ulët.
Në atë periudhë, Kazakistani u shndërrua me shpejtësi në qendrën e dytë më të madhe të minimit të Bitcoin në botë, pas SHBA-së. Shumë njerëz u përpoqën të përfitonin nga fitimet, madje disa vendosën pajisje për minimin e kriptovalutave edhe në ballkone.
Disa shkuan edhe më tej, duke paraqitur fermat e minimit si ambiente për ruajtjen e perimeve, sera apo qendra të të dhënave për inteligjencën artificiale në zona industriale të braktisura të epokës sovjetike, për të fshehur konsumin e madh të energjisë elektrike.
Por vendi nuk arriti ta shijonte për shumë gjatë bumin e kriptovalutave. Fluksi i shpejtë i minatorëve vendosi një barrë të madhe mbi rrjetin elektrik të vjetëruar të vendit.
Në tetor 2021, rritja e kërkesës për energji kontribuoi në ndërprerje në tre termocentrale në verilindje të Kazakistanit, ndërsa ndërprerje të alternuara të energjisë prekën disa rajone. Në kulmin e aktivitetit, minatorët e kriptovalutave konsumonin rreth 8% të të gjithë energjisë elektrike të Kazakistanit.
Autoritetet reaguan duke forcuar vazhdimisht rregullat mbi konsumin e energjisë dhe legalizimin e aseteve dixhitale, duke çuar në largimin e minatorëve jashtë vendit dhe përhapjen e aktiviteteve ilegale.
Kazakistani nuk e ndaloi asnjëherë plotësisht minimin e kriptovalutave, duke lënë të hapur mundësinë për të shfrytëzuar potencialin e tij në të ardhmen.
Sipas rregullatorit financiar të Kazakistanit, Astana International Financial Centre (AIFC), qytetarët kazakë zotërojnë rreth 1 milion kuleta kriptovalutash.
AIFC, i modeluar sipas zonës së lirë financiare DIFC në Dubai, ka funksionuar si një hapësirë testimi për inovacionin financiar në Kazakistan dhe si qendër rregullatore për kompanitë e aseteve dixhitale që operojnë në vend.
Kjo shifër është pothuajse katër herë më e madhe se numri i përdoruesve të regjistruar në bursat lokale të autorizuara, i cili në mars arriti në 256,900.
Rikthimi i aseteve kripto në vend
Ekspertët thonë se tërheqja e pronarëve të kriptovalutave drejt vendeve të tyre përmes incentivave dhe kuadrove ligjore më të thjeshta është kthyer në një tendencë globale vitet e fundit.
Emiratet e Bashkuara Arabe, Hong Kongu dhe Singapori kanë zbatuar masa të ngjashme tatimore, së bashku me licencim të qartë, rregulla të përcaktuara dhe akses në shërbimet bankare, duke sjellë të ardhura shtesë.
Dekreti trajton gjithashtu çështjen e energjisë që shkaktoi krizën e mëparshme të minimit në Kazakistan.
Sipas planit, gazi shoqërues nga fushat e naftës, i cili nuk kërkohet për përdorim shtetëror, mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike për operacionet e minimit, duke zgjeruar mundësitë e minatorëve përtej rrjetit kryesor kombëtar.
Drejtori i Përgjithshëm i Binance Kazakhstan, Nurkhat Kushimov, beson se incentiva tatimore është masa më e rëndësishme e dekretit.
“Ky është një stimul i fortë për përdoruesit që të zgjedhin juridiksione të rregulluara dhe platformat që operojnë brenda tyre”, tha Kushimov për Euronews.
Sipas tij, kjo qasje e bën më tërheqëse veprimtarinë në një mjedis të licencuar, rrit besimin në treg dhe krijon kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të tij.
Kryetari i Shoqatës së Kazakistanit për Fintech, Inteligjencë Artificiale dhe Industrinë Kripto, Bakhytzhan Kenzhebayev, thotë se incentiva tatimore heq një nga pasiguritë kryesore për investitorët privatë: pyetjen se kur dhe mbi çfarë baze lind detyrimi tatimor.
Megjithatë, ai thekson se masa nuk është e mjaftueshme në vetvete.
“Përdoruesit nuk zgjedhin një platformë bazuar vetëm te norma tatimore, por në një kombinim faktorësh: sa e lehtë është të depozitosh dhe të tërheqësh monedhën vendase, likuiditeti dhe sa të qarta janë rregullat”, tha Kenzhebayev për Euronews.
Për një operator të licencuar, parashikueshmëria e rregullave është më e vlefshme se vetë përfitimi tatimor, shtoi ai.
Presidenti i Shoqatës së Kazakistanit për Blockchain dhe Minimin Dixhital, Daniyar Mubarakov, tha se çdo mbështetje nga qeveria është e mirëpritur, por ngriti pikëpyetje se sa gjatë do të funksionojë kjo masë.
Sipas tij, për disa kategori sipërmarrësish, regjimet preferenciale tatimore nuk nënkuptojnë vetëm ulje të taksave në periudhën aktuale, por mund të sjellin edhe një rritje disa herë më të madhe të taksave në të ardhmen, si pasojë e rritjes së volumit të aktivitetit.
Zëvendësministri i Inteligjencës Artificiale dhe Zhvillimit Dixhital, Gizzat Baitursynov, tha se departamenti i tij po punon për një regjim të thjeshtuar tatimor që do të zbatohet pas përfundimit të përjashtimit trevjeçar.
Ai shtoi se departamenti po punon gjithashtu për anulimin e kontrolleve tatimore për investitorët privatë që mbulojnë tre vitet e mëparshme.
Përtej incentivave tatimore
Ekspertët thonë se rikthimi i investitorëve privatë kazakë në platformat vendase do të varet edhe nga konkurrueshmëria e tyre.
“Për shumicën e përdoruesve, lehtësia e shërbimit, likuiditeti, disponueshmëria e instrumenteve, shpejtësia e transaksioneve dhe mundësia për të ndërvepruar pa probleme me sistemin bankar mbeten faktorët kryesorë”, tha Kushimov.
Sipas Kenzhebayev, rreziqet kryesore lidhen tani me përkufizimet dhe terminologjinë ligjore.
Nëse përjashtimi përcaktohet shumë gjerësisht, ai mund të krijojë hapësirë për abuzime dhe shmangie të taksave edhe për asete të tjera që nuk kanë lidhje me kriptovalutat.
Kjo krijon rrezikun që rregulli të ndryshohet pas një ose dy vitesh, gjë që, sipas tij, do t’i shkaktonte tregut më shumë dëme sesa një normë fillimisht e lartë, por e qëndrueshme.
Ai paralajmëroi gjithashtu se i njëjti aset dixhital mund të trajtohet si dy gjëra të ndryshme, në varësi të faktit nëse bie nën rregullat e AIFC-së apo ato kombëtare të Kazakistanit. Kjo do të thotë se kompanitë mund të detyrohen të respektojnë njëkohësisht dy struktura të ndryshme ligjore.
“Vështirësia lind në pikën e ndërthurjes. Si rezultat, operatori ndërton dy infrastruktura paralele për të njëjtin biznes, gjë që reflektohet në kostot e tij”, tha ai.
Kenzhebayev theksoi se vetëm lehtësimet tatimore nuk do të mjaftojnë për të tërhequr përdoruesit drejt platformave të licencuara kazake.
Ajo që do të bëjë ndryshimin, sipas tij, është akses i besueshëm në shërbimet bankare, rregulla të qarta për konvertimin e kriptovalutave në monedhën vendase, kërkesa të thjeshta dhe të qarta për mbrojtjen e aseteve të klientëve dhe një mjedis rregullator që nuk i vendos operatorët e licencuar në disavantazh. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
