Leku ka vijuar të forcohet edhe në nisje të kësaj jave, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi monedhat kryesore të huaja. Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë për datën 10 gusht 2026, euro ka zbritur në 93.07 lekë, duke humbur edhe 0.12 lekë vetëm gjatë ditës së sotme.
Ky është një tjetër nivel shumë i ulët historik për monedhën europiane, duke konfirmuar tendencën e zhvlerësimit që ka shoqëruar euron gjatë muajve të fundit, në një periudhë kur prurjet e larta valutore nga turizmi, remitancat dhe hyrjet e kapitalit vijojnë të mbajnë nën presion kursin e këmbimit.
Rënie ka shënuar edhe dollari amerikan, i cili është këmbyer me 80.53 lekë, ose 0.33 lekë më pak se një ditë më parë. Në të njëjtën linjë kanë lëvizur edhe franga zvicerane, e cila ka zbritur në 99.67 lekë, si dhe jeni japonez, korona suedeze, korona norvegjeze, korona daneze, juani kinez dhe lira turke, të cilat gjithashtu janë dobësuar kundrejt lekut.
Përjashtim nga kjo prirje kanë bërë vetëm paundi britanik dhe dollari kanadez. Paundi është rritur lehtë me 0.07 lekë, duke u kuotuar në 108.72 lekë, ndërsa dollari kanadez është ngjitur gjithashtu me 0.07 lekë, në 57.76 lekë.
Forcimi i lekut po shfaqet me intensitet të lartë pikërisht në kulmin e sezonit turistik, kur hyrjet e valutës në ekonomi arrijnë nivelet më të larta të vitit. Ky zhvillim favorizon importuesit dhe kontribuon në uljen e kostove të mallrave të importuara, por nga ana tjetër vazhdon të ushtrojë presion mbi eksportuesit, industrinë fason, sektorin e turizmit dhe familjet që marrin të ardhura në euro, të cilët shohin të reduktohet vlera në lekë e të ardhurave të tyre. /ekofin.al

