Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka nisur një fushatë kombëtare informuese dhe promovuese për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), me synimin për të afruar bizneset me programet e mbështetjes dhe mundësitë e reja të zhvillimit. Nisma realizohet në bashkëpunim me 10 bashki të vendit, Korporatën Shqiptare të Investimeve, si edhe me projektin Enterprise Europe Network (EEN Albania).
Fushata, e cila do të zhvillohet nën moton #AIDAxBashkitë, synon të krijojë një urë më të fortë bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe komunitetit të biznesit, duke i informuar sipërmarrjet mbi instrumentet financiare dhe shërbimet që mund t’i ndihmojnë të rriten, të modernizohen dhe të bëhen më konkurruese në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.
Përmes një serie sesionesh informuese të organizuara në bashkëpunim me bashkitë, bizneset do të kenë mundësi të njihen nga afër me programet e financimit dhe grantet në dispozicion, procedurat për eksportet, përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Evropian, çështjet që lidhen me taksat dhe TVSH-në, si dhe mundësitë për pjesëmarrje në panaire dhe evente ndërkombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e fushatës do të jetë edhe promovimi i ndërmarrjeve shqiptare në tregjet e huaja përmes platformës ndërkombëtare Kompass, e cila u mundëson bizneseve të rrisin dukshmërinë e tyre, të krijojnë kontakte të reja tregtare dhe të gjejnë partnerë potencialë në vende të ndryshme.
AIDA thekson se kjo nismë synon të sjellë informacion dhe mbështetje sa më pranë sipërmarrjeve, duke shmangur nevojën që bizneset të udhëtojnë drejt Tiranës për të marrë informacion mbi programet që ofrohen. Në këtë mënyrë synohet rritja e aksesit të SME-ve në shërbimet publike dhe në instrumentet që mbështesin zhvillimin e tyre.
Fushata do të zhvillohet në dy faza. Gjatë periudhës shtator–dhjetor 2026, aktivitetet do të organizohen në bashkitë Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në fazën e dytë, gjatë periudhës janar–prill 2027, sesionet informuese do të vijojnë në Korçë, Berat, Kukës, Lezhë dhe Shkodër.
Përmes kësaj nisme, AIDA, AIC, EEN Albania dhe bashkitë synojnë të forcojnë ekosistemin e sipërmarrjes në vend, duke u ofruar ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme më shumë informacion, akses në financime, mundësi për internacionalizim dhe mbështetje konkrete për rritjen e konkurrueshmërisë së tyre./ekofin.al

