Viti 2025 rezultoi një nga më të vështirët për Shqipërinë për sa i përket fatkeqësive natyrore. Të dhënat nga Ministria e Financave, të cilat i disponon ekofin.al, tregojnë se vendi u përball me një sezon rekord zjarresh, përmbytje të mëdha në fund të vitit dhe një sërë emergjencash të tjera natyrore, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme në bujqësi, blegtori dhe banesa.
Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2025 u regjistruan 1,457 ngjarje të lidhura me fatkeqësitë natyrore, nga 1,676 një vit më parë. Edhe pse numri i ngjarjeve ra me 219 raste, dëmet ekonomike në disa sektorë u rritën ndjeshëm.
Treguesi më alarmues lidhet me bujqësinë. Sipërfaqja e tokës bujqësore të dëmtuar arriti në 63,555 hektarë, nga vetëm 6,867 hektarë në vitin 2024, një rritje me mbi 56,600 hektarë, ose më shumë se nëntë herë.

Po aq dramatike ishte situata edhe në blegtori. Numri i krerëve të dëmtuar u rrit nga 226 në vitin 2024 në 14,107 gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej afro 62 herësh.
Shifrat evidentojnë gjithashtu se pati rritje të numrit të banesave të prekura. Banesat e dëmtuara arritën në 1,101, ose 323 më shumë se një vit më parë, ndërsa banesat e shkatërruara u rritën nga 84 në 190.
Nga ana tjetër, pati një ulje të viktimave njerëzore. Humbjet e jetës ranë nga 50 në 31 persona, ndërsa numri i të plagosurve u përgjysmua, duke zbritur nga 120 në 57.
Zjarret dominuan vitin 2025
Pjesa dërrmuese e emergjencave lidhej me zjarret. Nga 1,457 ngjarje të regjistruara gjatë vitit, 1,415 ishin zjarre, të cilat shkaktuan 10 viktima, 46 të plagosur, 190 banesa të shkatërruara, 268 banesa të dëmtuara, dëmtimin e 56,692 hektarëve tokë bujqësore dhe humbjen e 978 krerëve blegtori.
Ministria e Financave, duke iu referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), e cilëson vitin 2025 si një nga sezonet më shkatërruese të zjarreve në më shumë se një dekadë.
Sipas të dhënave, zjarret dogjën 62,943 hektarë sipërfaqe në të gjithë vendin, ndërsa u regjistruan 2,743 vatra zjarri. Vetëm 193 prej tyre ishin zjarre masive, por këto përbënin mbi gjysmën e sipërfaqes së djegur. Madje, vetëm 18 zjarre u bënë shkak që 52.7% e të gjithë territorit të përfshihej nga flakët.
Në operacionet e shuarjes së zjarreve u angazhuan mbi 30 mijë efektivë të strukturave vendore dhe qendrore, 2,284 mjete, si dhe dy helikopterët e Forcës Ajrore, të cilët realizuan më shumë se 120 misione.
Shumica e rasteve të raportuara nuk lidhen me temperaturat ekstreme, por me zjarrvënien e qëllimshme ose nga pakujdesia njerëzore.
Përmbytjet goditën vendin në fund të vitit
Një tjetër episod i rëndë ishte vala e reshjeve intensive gjatë periudhës 17–26 nëntor 2025, e cila shkaktoi përmbytje në disa qarqe të vendit.
Më të goditurit ishin qarqet Vlorë, Lezhë, Korçë, Berat dhe Dibër, ku u dëmtuan argjinatura, ura, rrugë rurale dhe mijëra hektarë tokë bujqësore. Vetëm në qarkun e Vlorës u përmbytën mbi 1,200 hektarë, ndërsa në Lezhë mbi 500 hektarë.
Banka Botërore: Shqipërisë i duhen 6 miliardë dollarë për t’u mbrojtur nga klima
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, Shqipëria duhet të investojë rreth 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të rritur rezistencën ndaj fatkeqësive të lidhura me ndryshimet klimatike.
Sipas Ministrisë së Financave, pavarësisht përmirësimeve në sistemin e mbrojtjes civile dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, sfidat mbeten të mëdha. Për këtë arsye, nevojiten investime të mëtejshme në masa parandaluese, sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe infrastrukturë më rezistente ndaj fatkeqësive natyrore. /ekofin.al

