Bizneset prodhuese do të mbështeten për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale, ndërsa eksportuesit synohet të përfitojnë nga procedura më të shpejta kufitare dhe dokumentacion gjithnjë e më shumë elektronik.
Ndryshimet në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve vendosin si objektiva deri në vitin 2030 integrimin e zgjidhjeve digjitale ose AI në 90 NMVM prodhuese, uljen me 30% të kohës mesatare të kalimit të mallrave në kufi dhe trajnimin e 3,000 punonjësve në aftësi të gjelbra dhe digjitale.
Për digjitalizimin, strategjia parashikon ngritjen dhe funksionimin e Qendrës Evropiane të Inovacionit Digjital, EDIH, e cila do të ofrojë shërbime “test before invest”, trajnime dhe mbështetje teknike. Synohet mbulimi i mbi 1,000 subjekteve dhe trajnimi i rreth 2,000 profesionistëve, ndërsa bizneset prodhuese do të kenë akses në një skemë voucher/bashkëfinancimi për integrimin e zgjidhjeve digjitale dhe të inteligjencës artificiale.
Po kështu, dokumenti parashikon aksesimin e infrastrukturës evropiane EuroHPC, e cila do t’u mundësojë ndërmarrjeve shqiptare të përdorin kapacitete të avancuara kompjuterike dhe platforma cloud pa qenë nevoja të kryejnë vetë investime të mëdha. Strategjia synon që deri në 2030 bizneset të kenë përdorur në mënyrë kumulative 1 milion orë bërthamë “core hours” në EuroHPC.
Për importuesit dhe eksportuesit, objektivi është reduktimi i kostove dhe kohës së tregtisë ndërkufitare. Parashikohet digjitalizimi i dokumentacionit tregtar, zgjerimi i statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO), përmirësimi i pikave kufitare dhe zgjerimi i “Green Lanes”. Deri në 2030 synohet dyfishimi i operatorëve me status AEO, ndërsa të paktën 80% e dokumentacionit tregtar duhet të përpunohet plotësisht në mënyrë digjitale.
Transformimi teknologjik do të shoqërohet edhe me programe për fuqinë punëtore. Strategjia parashikon rikualifikim në automatizim, menaxhimin e mbetjeve industriale dhe eficiencën energjetike, në bashkëpunim me universitetet dhe qendrat e formimit profesional. Deri në vitin 2030 synohen 3,000 punonjës të trajnuar, të paktën 40% gra, si dhe ulja me 20 pikë përqindjeje e pjesës së ndërmarrjeve që raportojnë vështirësi në gjetjen e aftësive të nevojshme./ekofin.al
