Janë zbardhur dhe publikuar në Fletore Zyrtare ndryshimet e fundit të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave në Strategjinë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve 2021-2030. Qeveria synon të krijojë Fondin Shqiptar të Inovacionit (FSHI), një mekanizëm sovran bashkinvestimi që synon të mbështesë startup-et dhe kompanitë shqiptare që kanë kaluar fazën fillestare të zhvillimit dhe kërkojnë kapital për t’u zgjeruar.
Sipas ndryshimeve, fondi do të kombinojë grantet e pakthyeshme me investimet në kapital, me synimin për të mbuluar boshllëkun e financimit që aktualisht hasin ndërmarrjet me potencial të lartë rritjeje, të njohura si “scale-up”. Objektivi është që këto kompani të kenë mundësi të rrisin prodhimin, të adoptojnë teknologji të avancuara dhe të zgjerojnë aktivitetin në tregjet ndërkombëtare.
Strategjia thekson se Fondi Shqiptar i Inovacionit do të ndërtohet mbi përvojën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe agjencisë “Innovation4Albania”, të cilat gjatë tre viteve të fundit kanë shpërndarë rreth 12 milionë euro grante për mbështetjen e ekosistemit të inovacionit.
Modeli i ri i financimit do të ketë dy dritare kryesore. E para do të ofrojë grante për startup-et dhe projektet që lidhen me komercializimin e kërkimit shkencor, ndërsa e dyta do të investojë drejtpërdrejt në kapitalin e kompanive që kanë hyrë në fazën e rritjes. Ky mekanizëm synon të krijojë një vazhdimësi financimi, duke i ndihmuar bizneset të kalojnë nga faza fillestare drejt zgjerimit të aktivitetit.
Një nga elementët kryesorë të fondit është modeli i bashkinvestimit me sektorin privat. Investimet publike nuk do të zëvendësojnë kapitalin privat, por do të investohen paralelisht me të dhe në kushte tregu, me synimin për të tërhequr më shumë investitorë në financimin e kompanive shqiptare.
Procesi i krijimit të fondit do të zhvillohet në disa faza. Gjatë periudhës 2026-2027 do të hartohet modeli ligjor, struktura e qeverisjes dhe strategjia e kapitalizimit. Në fazën 2027-2030 do të përgatitet baza ligjore, do të kryhet licencimi dhe kapitalizimi i fondit, me përfshirjen e Ministrisë së Financave, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Më pas do të nisë funksionimi i plotë i fondit, duke hapur si skemat e granteve, ashtu edhe dritaren e investimeve në kapital.
Strategjia nuk përcakton ende madhësinë e kapitalit të fondit, vlerën e investimeve apo sektorët prioritarë që do të financohen. Këto elemente do të vendosen gjatë fazës së projektimit, pas një analize të ekosistemit shqiptar të inovacionit dhe krahasimit me modelet e vendeve të Bashkimit Evropian.
Në dokument parashikohet që deri në vitin 2027 Fondi Shqiptar i Inovacionit të jetë krijuar ligjërisht, ndërsa objektivi afatgjatë është që ai të jetë plotësisht funksional, me të dyja dritaret e financimit në zbatim dhe me mobilizim të kapitalit privat paralelisht me investimet publike. /ekofin.al

