Grupi OTP ruajti performancë të fortë financiare bazë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Fitimi pas tatimit arriti në 1.56 miliardë Euro, duke përfshirë njohjen proporcionale të zërave të veçantë vjetorë, të regjistruar plotësisht në fillim të vitit. Megjithëse kjo shënoi një rënie prej 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kthimi i normalizuar mbi kapitalin (ROE) mbeti në një nivel të lartë prej 21.0%. Fitimi i raportuar i konsoliduar pas tatimit arriti në 1.30 miliardë Euro, duke reflektuar kryesisht ndikimin e përqendruar në fillim të vitit të taksave të veçanta vjetore, tarifave mbikëqyrëse dhe zërave të tjerë specifikë.
Fitimi para tatimit për gjashtëmujorin u rrit me 3% në monedhën hungareze krahasuar me vitin e kaluar dhe me 8% mbi bazën e rregulluar për efektet e kursit të këmbimit (FX). Të ardhurat totale u rritën me 5%, të nxitura kryesisht nga të ardhurat neto nga interesi, ku këto të fundit u rritën me 13% krahasuar me vitin e kaluar, ose me 19% mbi bazë të rregulluar sipas kursit të këmbimit. Marzhi neto i interesit u përmirësua me 31 pikë bazë, duke arritur në 4.61%, falë rritjes së volumit të biznesit dhe zhvillimeve pozitive të marzheve në disa tregje, përfshirë Hungarinë dhe Uzbekistanin.
Shpenzimet operacionale u rritën me 12% krahasuar me vitin e kaluar, ose me 16% mbi bazën e rregulluar sipas kursit të këmbimit. Rritja lidhej kryesisht me inflacionin e pagave, zgjerimin e numrit të punonjësve, amortizimin e investimeve në teknologjinë e informacionit, si dhe kostot më të larta për infrastrukturën, softuerët dhe marketingun. Megjithatë, raporti kosto/të ardhura mbeti në një nivel të qëndrueshëm, prej 42.0%.
Tendencat bazë të cilësisë së portofolit të kredisë vijuan në trend pozitiv. Raporti i kredive në Fazën 3 (Stage 3) u përmirësua me 0.3 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit 2025 – duke zbritur në 3.2% – ndërsa u ul edhe pesha e kredive në Fazën 2 (Stage 2). Kostot totale të riskut ranë me 16% krahasuar me vitin e kaluar, pavarësisht provigjioneve specifike të lidhura me kufizimin e normave të interesit në Hungari.
Ritmi i kreditimit u përshpejtua gjatë tremujorit të dytë. Kreditë performuese të klientëve në nivel të konsoliduar u rritën me 8% gjatë gjysmës së parë të vitit dhe me 17% krahasuar me vitin e kaluar, mbi bazë të rregulluar sipas kursit të këmbimit. Kreditë hipotekare mbetën motorri kryesor i rritjes, duke u zgjeruar me 12% gjatë gjashtë mujorit, të mbështetura nga Programi “Home Start” në Hungari. Kreditë konsumatore u rritën me 7%, ndërsa rritja e kredive për korporatat dhe bizneset mikro e të vogla (MSE) u përshpejtua gjatë tremujorit të dytë. Edhe ekspozimet në leasing vijuan të zgjerohen me ritme dinamike.
Depozitat e klientëve u rritën me 6% gjatë gjysmës së parë të vitit mbi bazë të rregulluar sipas kursit të këmbimit. Raporti neto i Grupit, kredi/depozita, ishte 78% në fund të muajit qershor duke konfirmuar se zgjerimi i shpejtë i kreditimit vazhdon të mbështetet nga një strukturë financimi e balancuar dhe e qëndrueshme.
Grupi OTP ruajti pozicionin e tij të fortë të kapitalit. Në fund të muajit qershor, raporti CET1 ishte 17.6%, ndërsa raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit u përmirësua në 20.3%. Duke përfshirë njohjen proporcionale të zërave të veçantë vjetorë, raporti CET1 do të kishte arritur në 17.9%. Emetimi prej 1 miliard eurosh i instrumentit Tier 2, i përfunduar në muajin qershor ishte transaksioni më i madh i tregjeve të kapitalit i realizuar ndonjëherë nga OTP Bank dhe kontribuoi ndjeshëm në përmirësimin e mjaftueshmërisë totale të kapitalit.
Nën dritën e performancës së gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 dhe tendencave bazë të biznesit, drejtimi i Grupit rishikoi një element të parashikimeve për vitin 2026. Marzhi neto i interesit në nivel të konsoliduar arriti në 4.61% në gjysmën e parë të vitit 2026, duke tejkaluar nivelin 4.34% të regjistruar për të gjithë vitin 2025.
Duke marrë në konsideratë dinamikën e pritshme të marzheve gjatë gjysmës së dytë të vitit, menaxhimi pret që marzhi neto i interesit për të gjithë vitin 2026 të jetë më i lartë se niveli i arritur në vitin 2025. Rritja organike e kredive performuese e rregulluar sipas kursit të këmbimit, pritet të mbetet rreth 15%, ndërsa profili i riskut të kredisë parashikohet të mbetet në përgjithësi i ngjashëm me atë të vitit të kaluar. Raporti kosto/të ardhura mund të jetë disi më i lartë se në vitin 2025, ndërsa kthimi mbi kapitalin (ROE) mund të shënojë një rënie të moderuar si pasojë e forcimit të pozicionit të kapitalit dhe uljes së pritshme të levës financiare.
