Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një zhvillim që mund të çojë në një tjetër përballje të kushtueshme të shtetit shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar. Lajmi është bërë publik fillimisht në media, ndërsa njëri nga investitorit kryesorë Behgjet Pacolli, ka reaguar, duke theksuar se nuk ka marrë ende asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet shqiptare në lidhje me procedurat për zgjidhjen e kontratës.
Biznesmeni Pacolli, pronar i MABCO Constructions SA, akuzon institucionet shqiptare për veprime të kundërligjshme, pengim të përfundimit të projektit dhe shkelje të kontratës së koncesionit. Ai paralajmëron se, nëse procedura e zgjidhjes së kontratës konfirmohet, kompania do t’i drejtohet arbitrazhit tregtar ndërkombëtar për të kërkuar dëmshpërblim për një ekspozim financiar që, sipas tij, kalon vlerën e 320 milionë eurove.
Statusi i plotë i Behgjet Pacollit:
Sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurën për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Deri në këtë moment, MABCO Constructions SA nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Autoriteti Kontraktor. Për një investim strategjik me rëndësi kombëtare, është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet shtetërore.
Nëse ky lajm rezulton i vërtetë, atëherë shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar. MABCO ka bërë çdo përpjekje për ta shmangur këtë skenar dhe për të gjetur një zgjidhje institucionale. Fatkeqësisht, përballë papërgjegjshmërisë, heshtjes dhe veprimeve të paligjshme të disa përfaqësuesve shtetërorë, çdo mundësi për zgjidhje është mbyllur.
Ky arbitrazh do të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës, veprimeve të kundërligjshme dhe papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, e veprimeve të elementëve që, nën mbulesën e institucioneve, kanë vepruar jashtë ligjit, si dhe e dështimit të një sistemi drejtësie të ndikuar për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të investitorit.
Nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë faturën e neglizhencës, papërgjegjshmërisë dhe vendimeve të paligjshme të zyrtarëve që sot vazhdojnë të sillen me indiferencë, sepse ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi personale. Dëmin nuk e paguajnë ata, por qytetarët shqiptarë dhe biznesi.
MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore. Kompania kishte përfunduar pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej vetëm pak para fazës së certifikimit të aeroportit.
Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, grupe që veprojnë në mënyrë arbitrare dhe jashtë ligjit, me mbështetje ose tolerim institucional, penguan MABCO-n të hynte në kantier dhe të përfundonte projektin. Për muaj të tërë, në prani të Policisë së Shtetit, investitori u mbajt jashtë pronës së tij, ndërsa pajisje me vlerë u dëmtuan, u shkatërruan dhe një pjesë edhe u vodhën.
Paradoksi është i qartë: nga njëra anë institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër kërkojnë ta përdorin këtë pengesë si arsye për zgjidhjen e kontratës.
Kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë dhe me parimin universal të së drejtës se askush nuk mund të përfitojë nga sjellja e vet e paligjshme.
Nëse procedura konfirmohet, MABCO do të mbrojë të drejtat e saj me të gjitha mjetet juridike, përfshirë provat dhe faktet që posedon kundër secilit që ka shkaktuar këtë skandal të turpshëm e deri te arbitrazhi tregtar ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë.
Ky nuk është një kërcënim. Është pasoja juridike e veprimeve joligjore dhe mosveprimeve të papërgjegjshme të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.

