Liria akademike në Shqipëri është përkeqësuar gjatë dekadës së fundit, ndërsa Ballkani Perëndimor ndahet mes vendeve që kanë humbur terren dhe atyre që kanë përmirësuar autonominë e universiteteve.
Shqipëria regjistron një rezultat prej 0.76 pikësh në Indeksin e Lirisë Akademike 2025, me një rënie prej 12% krahasuar me vitin 2015. Përkeqësimi është më i fortë në Serbi, ku indeksi ka rënë me 28%, dhe në Kosovë, me 25%. Në kahun e kundërt, Mali i Zi ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm prej 29%, ndërsa Maqedonia e Veriut prej 4%.
Të dhënat e V-Dem Academic Freedom Index, të publikuara përmes Our World in Data, matin shkallën në të cilën universitetet dhe akademikët janë të lirë nga ndërhyrjet shtetërore ose institucionale. Në nivelin aktual të indeksit, Mali i Zi kryeson mes pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor me 0.82 pikë, i ndjekur nga Shqipëria me 0.76, Maqedonia e Veriut me 0.66, Kosova me 0.62 dhe Serbia me 0.60.
Rezultati i Shqipërisë është njëkohësisht i barabartë me mesataren evropiane prej 0.76 pikësh, por prirja gjatë periudhës 2015-2025 është negative. Kjo e dallon vendin nga Mali i Zi, i cili jo vetëm ka rezultatin më të lartë në rajon, por ka regjistruar edhe përmirësimin më të madh gjatë së njëjtës periudhë.
Në rang global, të dhënat tregojnë një dobësim më të gjerë të autonomisë akademike. Që nga viti 2015, liria akademike është përkeqësuar në 50 vende, ndërsa vetëm nëntë vende kanë shënuar përmirësim.

Evropa dominon vendet me lirinë më të lartë akademike
Republika Çeke renditet e para në botë, me një rezultat pothuajse maksimal prej 0.98 pikësh. Pas saj renditen Estonia me 0.97, Belgjika me 0.95 dhe Sllovenia me 0.94.
Në përgjithësi, Evropa mbetet rajoni me një nga nivelet më të larta të lirisë akademike. Mesatarja Evropiane është 0.76 pikë, vetëm pas Oqeanisë, e cila kryeson me 0.83 pikë. Amerika e Jugut regjistron mesatarisht 0.68, Amerika e Veriut 0.67, Afrika 0.48, ndërsa Azia ka nivelin më të ulët rajonal, me vetëm 0.35 pikë.
Në fund të renditjes globale ndodhen Myanmar dhe Nikaragua, me vetëm 0.02 pikë. Rezultate shumë të ulëta kanë gjithashtu Sudani i Jugut me 0.05, Irani dhe Bjellorusia me nga 0.06, si dhe Kina me 0.07.
SHBA bie në 0.40 pikë, India ndër vendet me rënien më të fortë
Një nga zhvillimet më të spikatura në indeks është dobësimi i pozitës së Shteteve të Bashkuara. SHBA regjistron vetëm 0.40 pikë, nivel që sipas të dhënave e afron me vende si Butani dhe Tajlanda dhe e vendos në pozicionin më të ulët mes vendeve të G7.
Të dhënat tregojnë se përkeqësimi në SHBA është përshpejtuar vitet e fundit, mes përplasjeve për autonominë universitare, financimin federal të kërkimit dhe ndërhyrjen e institucioneve publike në arsimin e lartë.
Edhe India ka pësuar një nga rëniet më të forta të lirisë akademike në botë që nga viti 2010. Vendi regjistron vetëm 0.14 pikë, ndërsa kufizimet ndaj universiteteve dhe akademikëve janë shtuar gradualisht gjatë viteve të fundit.
Kina mbetet gjithashtu ndër vendet me kufizimet më të mëdha, me vetëm 0.07 pikë, ndërsa indeksi i saj raportohet se është tkurrur me rreth 40% gjatë dekadës së fundit.
Indeksi tregon se liria akademike nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me nivelin e zhvillimit ekonomik. Vende si Kili, me 0.92 pikë, dhe Uruguai me 0.91, renditen shumë lart, ndërsa disa ekonomi shumë më të mëdha kanë humbur ndjeshëm terren.
Në këtë panoramë, Shqipëria vazhdon të qëndrojë në nivelin mesatar evropian, por rënia prej 12% në dhjetë vjet sinjalizon një përkeqësim të dukshëm të pozicionit të saj krahasuar me vitin 2015./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al

