Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar 314.892 milionë lekë efekte negative në buxhetin e shtetit nga auditimet e përfunduara gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026. Nga kjo shumë, 84.381 milionë lekë janë klasifikuar si dëm ekonomik, ndërsa 230.511 milionë lekë lidhen me menaxhim joefektiv të fondeve publike.
Pjesa dërrmuese e dëmit ekonomik është përqendruar te prokurimet dhe zbatimi i kontratave. Sipas KLSH-së, 81.443 milionë lekë, ose 97% e dëmit ekonomik të konstatuar në fushën e shpenzimeve, lidhen me shkelje gjatë procedurave të prokurimit dhe zbatimit të punimeve apo kontratave.
Problematikat e konstatuara përfshijnë likuidime për punime të pakryera, punime që nuk përputhen me specifikimet teknike dhe mosllogaritjen e kostove përfundimtare të shërbimit të projektimit. KLSH evidenton gjithashtu mangësi që nisin që në fazën e planifikimit të nevojave dhe vijojnë gjatë zhvillimit dhe zbatimit të procedurave të prokurimit.
Në total, KLSH ka dhënë 58 rekomandime për gjetje me efekte negative financiare. Dëmi ekonomik prej 84.381 milionë lekësh është konstatuar i gjithi në fushën e shpenzimeve, ndërsa menaxhimi joefektiv prej 230.511 milionë lekësh ndahet mes të ardhurave dhe shpenzimeve.
Nga menaxhimi joefektiv, 126.267 milionë lekë, ose rreth 55% e totalit, lidhen me të ardhurat, ndërsa 104.244 milionë lekë, ose rreth 45%, me shpenzimet. Kështu, efektet negative të konstatuara në shpenzime arrijnë gjithsej në 188.625 milionë lekë, kur dëmi ekonomik dhe menaxhimi joefektiv merren së bashku.
Në detajimin sipas kategorive, pjesa më e madhe e dëmit ekonomik rezulton në zbatimin e punimeve, me 81.344 milionë lekë, ndërsa procedurat e prokurimit kanë prodhuar 99 mijë lekë dëm ekonomik. Të dyja së bashku japin shifrën prej 81.443 milionë lekësh, mbi të cilën KLSH llogarit peshën prej 97%.
Auditimi evidenton se shkeljet nuk kufizohen vetëm te zbatimi fizik i kontratave. Problemet shfaqen në përgatitjen e dokumenteve të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit, llogaritjen e vlerës së kontratës, përzgjedhjen e procedurës së prokurimit, pranimin dhe shqyrtimin e ofertave, njoftimin e fituesit dhe kontratat me një ofertues.
Mangësi janë konstatuar gjithashtu në lidhjen e kontratave, marrëdhëniet me nënkontraktorët, dokumentimin e dosjeve të tenderëve dhe, në fund, në zbatimin e kontratave nga operatorët ekonomikë sipas kushteve të përcaktuara.
Gjatë periudhës janar-prill 2026, KLSH kishte 14 misione auditimi të përfunduara, që përfshinin 34 subjekte publike. /ekofin.al

