Në një kohë kur gjithnjë e më shumë qytetarë kërkojnë mënyra të sigurta dhe efikase për të ruajtur dhe investuar paratë e tyre, produktet e kursimit mbeten një nga alternativat më të preferuara për menaxhimin e financave personale.
OTP Bank Albania sjell këtë herë një produkt të ri për qytetarët, Depozitën 18 dhe 24-Mujore me Interes të Përshkallëzuar, që synon të shpërblejë më shumë të gjithë ata që zgjedhin të mbajnë kursimet e tyre për periudha më të gjata.
Ndryshe nga depozitat tradicionale me normë fikse interesi, ky produkt bazohet në një mekanizëm progresiv, ku norma e interesit rritet gradualisht çdo gjashtë muaj gjatë afatit të depozitës. Kjo do të thotë se përfitimi financiar i klientit rritet me kalimin e kohës, duke krijuar një stimul shtesë për kursimin afatgjatë.
Depozitat me afat 18 dhe 24 muaj ndahen në periudha 6-mujore, ku në secilën prej tyre aplikohet një normë më e lartë interesi, krahasuar me periudhën paraardhëse. Interesi i fituar transferohet në llogarinë e klientit çdo gjashtë muaj, duke bërë që përfitimet të ndihen hap pas hapi dhe duke ofruar një qasje sa më transparente ndaj kursimeve.
Produkti mund të hapet me një shumë minimale prej 50 mijë lekësh ose 500 eurosh, ndërsa nuk parashikohet kufi maksimal për shumën që mund të depozitohet. Kjo e bën depozitën të përshtatshme si për kursimtarët individualë që hedhin hapat e parë në investimin e kursimeve, ashtu edhe për ata që disponojnë kapitale më të konsiderueshme.
Për të hapur një depozitë me interes të përshkallëzuar pranë OTP Bank Albania, nevojitet vetëm një dokument identifikimi i vlefshëm, kartë identiteti ose pasaportë.
Përmes këtyre produkteve, OTP Bank Albania synon të inkurajojë një kulturë më të fortë kursimi dhe planifikimi financiar afatgjatë, duke u ofruar klientëve një mundësi për të përfituar më shumë nga kursimet e tyre sa më gjatë që zgjedhin t’i mbajnë të investuara në depozitë.
