Shoqëria shtetërore e krijuar fillimisht për administrimin e shërbimit të sterilizimit do të zgjerojë veprimtarinë edhe te Programi Kombëtar i Kontrollit Mjekësor Bazë, ose ndryshe “Check-up”, dhe te shërbimi i hemodializës në pesë spitale rajonale.
Sipas ndryshimeve të miratuara nga qeveria, “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”, me shkurtimin OSHIS, do të ndryshojë emrin në “Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore”, OSHISH. Shoqëria do të mbetet me kapital 100% shtetëror.
Marrja e shërbimeve të “Check-up”-it dhe dializës nuk do të bëhet menjëherë. Operatori do t’i marrë përsipër vetëm pas përfundimit të afatit të kontratave përkatëse të koncesionit ose partneritetit publik-privat.
Për kontrollin mjekësor bazë, OSHISH do të administrojë rrjetin e laboratorëve dhe pikat ku ofrohet shërbimi, si dhe proceset logjistike, sistemet informatike, pajisjet dhe asetet e programit.
Në fushën e hemodializës, operatori do të sigurojë vazhdimësinë e shërbimit në pesë qendrat pranë spitaleve të Shkodrës, Lezhës, Vlorës, Elbasanit dhe Korçës. Kompetencat do të përfshijnë prokurimin e materialeve dhe shërbimeve të nevojshme, mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore dhe administrimin e kontratave.
Asetet e koncesioneve kalojnë pa pagesë
Ministria e Shëndetësisë do t’i transferojë pa pagesë operatorit asetet, pajisjet, sistemet informatike dhe të drejtat që i kalojnë shtetit pas përfundimit të kontratave të kontrollit mjekësor bazë dhe hemodializës, ashtu siç ndodhi me sterilizimin më herët.
Në këtë mënyrë, struktura e krijuar në fund të vitit 2025 për të vijuar shërbimin e sterilizimit pas mbylljes së koncesionit do të kthehet në një operator më të gjerë publik, që administron disa prej shërbimeve shëndetësore të dhëna më parë me PPP, thotë vendimi.
Për “Check-up”-in dhe hemodializën, OSHISH do të financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, si ofrues i licencuar i shërbimit. Të ardhurat do të arkëtohen nga shoqëria në bazë të kontratave me institucionet financuese ose përfituese dhe sipas tarifave të miratuara. /ekofin.al
