Personeli i Forcave të Armatosura i angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve gjatë vitit 2026 do të marrë shpërblim në masën e një page mujore bruto, me një kosto të parashikuar prej 154.3 milionë lekësh për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton shpërblimin jo vetëm për efektivët ushtarakë, por edhe për personelin në varësi të bashkive që përfshihet në operacionet kundër zjarreve gjatë këtij viti.
Për punonjësit e njësive të vetëqeverisjes vendore, shpërblimi do të financohet nga buxheti i secilës bashki.
Shpërblimi do të llogaritet mbi pagën mujore bruto të secilit punonjës të përfshirë në operacionet për shuarjen e zjarreve. Kjo do të thotë se vlera nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë, por do të ndryshojë sipas pagës individuale.
Ministria e Mbrojtjes do të përdorë fondet e buxhetit ekzistues
Për personelin e Forcave të Armatosura, efektet financiare përllogariten në 154,281,120 lekë dhe do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
Pjesa më e madhe e fondit, 115,710,840 lekë, do të merret nga programi buxhetor “Forcat e luftimit”. Një tjetër shumë prej 33,941,846 lekësh do të financohet nga programi “Mbështetja e luftimit”, ndërsa 4,628,434 lekë do të mbulohen nga programi “Emergjencat civile”.
Sipas vendimit, nuk parashikohet një fond shtesë nga buxheti i shtetit për këtë masë, por shpërblimi i ushtarakëve do të përballohet nëpërmjet fondeve që Ministria e Mbrojtjes ka tashmë në dispozicion.
Në mënyrë të ngjashme, bashkitë që angazhojnë punonjësit e tyre në operacionet për shuarjen e zjarreve duhet ta mbulojnë shpërblimin me fondet e buxheteve vendore.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe ngarkon Ministrinë e Mbrojtjes dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore me zbatimin e tij./ekofin.al
