“Pas përfundimit të kontratave respektive, në muajt shtator dhe nëntor, shërbimet e Check-Up dhe dializës do të kryhen nga shteti, duke garantuar vijimësinë e këtyre shërbimeve për qytetarët”.
Kjo ishte deklarata e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, pas vendimeve të miratuara nga qeveria, të cilat sjellin një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e organizimit të dy prej shërbimeve më të ndjeshme të kujdesit shëndetësor: kontrollit bazë parandalues dhe trajtimit të pacientëve me insuficiencë renale.
Vendimi shënon një zhvendosje nga modeli i ofrimit përmes kontratave me operatorë privatë drejt administrimit të drejtpërdrejtë nga strukturat shtetërore, duke e vendosur tashmë sfidën kryesore te kapacitetet publike për të garantuar për të menaxhuar shërbimet.
Check-Up hapet për çdo qytetar mbi 35 vjeç
Nga muaji shtator, programi i kontrollit shëndetësor bazë Check-Up do të hyjë në një fazë të re, ku çdo qytetar mbi moshën 35 vjeç do të ketë mundësi të kryejë analizat falas në kuadër të programit kombëtar të parandalimit.
Zgjerimi i skemës pritet të përfshijë rreth 1.5 milionë banorë mbi këtë moshë, duke e shndërruar Check-Up në një nga programet më të gjera të depistimit shëndetësor në vend. Përfituesit kryesorë nga ky ndryshim pritet të jenë të moshuarit mbi 70 vjeç, të cilët deri tani nuk ishin pjesë e grupmoshave të përfshira në program.
Sipas ministres Sala, protokolli i Check-Up nuk do të ndryshojë, ndërsa analizat do të vijojnë të ofrohen sipas të njëjtave standarde të aplikuara deri më tani. Ndryshimi kryesor lidhet me zgjerimin e fashës së përfituesve dhe kalimin e administrimit të shërbimit nga modeli aktual drejt strukturave shtetërore.
Ky zhvillim e zhvendos fokusin e programit nga një skemë e orientuar kryesisht drejt grupmoshës 35–70 vjeç në një mekanizëm më gjithëpërfshirës të parandalimit, ku synimi është identifikimi i hershëm i sëmundjeve kronike dhe faktorëve të rrezikut.
Nga koncesioni drejt menaxhimit publik: kosto dhe debat financiar
Kalimi i Check-Up në administrimin shtetëror vjen pas një periudhe disa vjeçare ku shërbimi u ofrua përmes një modeli koncesionar, i cili ka qenë një nga kontratat më të diskutuara në sektorin e shëndetësisë për mënyrën e financimit.
Sipas të dhënave të publikuara më herët nga Ekofin, kontrata për kontrollin mjekësor bazë për grupmoshat 35–70 vjeç parashikonte një pagesë minimale vjetore prej 730 milionë lekësh pa TVSH, e garantuar nga shteti edhe në rast se numri i përfituesve nuk arrinte objektivin e përcaktuar prej 475 mijë personash në vit. Për vitin 2025 pagesat zbritën lehtë në 860 milionë lekë ndërsa në 2024, pagesat buxhetore për këtë kontratë arritën në 876 milionë lekë.
Me kalimin në administrimin publik, barra e eficiencës financiare dhe menaxhimit operacional kalon drejtpërdrejt te institucionet shtetërore.
Dializa, nga kontrata private drejt administrimit shtetëror
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me shërbimin e hemodializës, i cili pas përfundimit të kontratave ekzistuese do të administrohet nga shteti.
Bëhet fjalë për një shërbim jetik për pacientët me insuficiencë renale kronike, ku çdo ndërprerje ose ulje e cilësisë së trajtimit mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për jetën e pacientëve.
Të dhënat financiare tregojnë se kostot e këtij shërbimi kanë vijuar të rriten. Për vitin 2025, pagesat për hemodializën arritën në 932 milionë lekë, nga 894 milionë lekë një vit më parë.
Në vitet e fundit, analiza e realizimit të kontratës ka evidentuar diferenca mes planifikimit dhe përdorimit real të shërbimit, duke nxjerrë në pah nevojën për një planifikim më të saktë të kërkesës, numrit të pacientëve dhe kostove afatgjata.
Kalimi i dializës në administrimin shtetëror do të kërkojë jo vetëm garantimin e financimit, por edhe investime në kapacitete teknike, staf të specializuar dhe menaxhim të qëndrueshëm të njësive që ofrojnë këtë trajtim. /ekofin.al
