Në Kuvend është depozituar për shqyrtim projekligji për ratifikimin e marrëveshjes së facilitetit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Me vendimin nr.53, datë 29.1.2025, të Këshillit të Ministrave, u miratua, në parim, marrëveshja e facilitetit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni, për rregullimet specifike për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të facilitetit për reforma dhe rritje.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë financimin nëpërmjet akordimit të një shume totale në vlerën 922 milionë euro (nga të cilat 29% do të akordohen si grante dhe 71% si hua).
Sipas relacionit shoqërues, objektivi i përgjithshëm i këtij programi është çlirimi i potencialit ekonomik të vendit, përmes stimulimit të transformimit ekonomik dhe përmirësimit të klimës së biznesit, për të hyrë gradualisht dhe për të përgatitur në tregun e vetëm të BE-së, përmes forcimit të shtetit të së drejtës, me progres të vazhdueshëm në integrimin e përshpejtuar, konsolidimin dhe efikasitetin e reformave, dhe ecjes së qëndrueshme përpara në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë Shqipëria, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk kanë përfituar asnjë nga Plani i Rritjes 2024-2027, edhe pse tashmë ka hyrë muaji mars i vitit 2025. /ekofin.al

