Nga Xhevit Hysenaj për ekofin.al
Prej më shumë se dy vitesh, zhvlerësimi i euros dhe valutave të tjera kryesore është shndërruar nga një fenomen i përkohshëm në një problem strukturor për sektorin agroeksportues shqiptar. Ajo që në fillim u perceptua si një luhatje kalimtare e kursit të këmbimit, sot po prodhon pasoja të drejtpërdrejta mbi konkurrueshmërinë e eksporteve, të ardhurat e fermerëve dhe qëndrueshmërinë e industrisë përpunuese.
Në fazën e parë të zhvlerësimit të valutës, eksportuesit e bimëve mjekësore dhe aromatike, por edhe të produkteve të tjera bujqësore, zgjodhën të përballonin vetë goditjen financiare. Për të mos cenuar fermerët, kompanitë absorbuan humbjet, duke ruajtur çmimet e grumbullimit edhe pse të ardhurat nga eksporti u tkurrën ndjeshëm për shkak të kursit të këmbimit.
Megjithatë, kjo strategji nuk mund të ishte afatgjatë.
Me marzhe fitimi që në rastet më të mira variojnë nga 8% deri në 15% të qarkullimit, ndërkohë që zhvlerësimi i valutës ka kaluar 25%, industria nuk kishte më hapësirë për të përthithur humbjet. Si pasojë, ulja e çmimeve të grumbullimit u transferua te hallka më e dobët e zinxhirit: fermeri.
Ky zhvillim ka rënduar ndjeshëm ekonomitë rurale.
Fermerët sot përballen me një realitet paradoksal: të ardhurat nga shitja e prodhimit janë ulur me 20-25%, ndërkohë që kostot e prodhimit vijojnë të rriten. Çmimet e inputeve bujqësore, kostot e fuqisë punëtore, karburantit dhe transportit janë në rritje të vazhdueshme, duke ngushtuar fitimin deri në kufijtë e mbijetesës.
Në këto kushte, rreziku më i madh nuk është vetëm falimentimi ekonomik i fermerit, por edhe braktisja e tokës bujqësore. Kur prodhimi nuk siguron më të ardhura të mjaftueshme, interesi për kultivim bie dhe sipërfaqe të tëra rrezikojnë të mbeten djerrë. Kjo krijon një efekt zinxhir, pasi industria përpunuese dhe eksportuese mbështetet tërësisht te lënda e parë vendase. Mungesa e prodhimit bujqësor nënkupton ulje të kapaciteteve përpunuese, humbje të kontratave dhe, në fund, humbje të tregjeve ndërkombëtare që janë ndërtuar ndër vite.
Përfaqësuesit e sektorit kanë kërkuar vazhdimisht që mbështetja publike të orientohet drejtpërdrejt te fermeri, përmes subvencioneve monetare të depozituara në llogaritë e tyre bankare. Sipas tyre, kjo do të ishte mënyra më efektive për të ruajtur prodhimin dhe konkurrueshmërinë e sektorit.
Megjithatë, këto kërkesa nuk kanë marrë përgjigje konkrete. Situata është bërë edhe më e ndërlikuar nga bllokimi i fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë, duke kufizuar më tej mundësitë e financimit të sektorit.
Një tjetër shqetësim serioz lidhet me standardet e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së eksporteve. Sot rreth 80% e bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri kultivohen, përfshirë sherebelën, rigonin, livandën, trumzën dhe kultura të tjera me kërkesë të lartë në tregjet europiane. Megjithatë, prania e mbetjeve të pesticideve të ndaluara nga Bashkimi Europian ka krijuar raste kontaminimi që rrezikojnë reputacionin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Për këtë arsye, kontrolli institucional duhet të jetë më rigoroz, transparent dhe i pandikuar nga korrupsioni.
Mbikëqyrja efektive e parcelave, pemëtoreve, vreshtave, perimeve, frutave dhe kulturave të bimëve mjekësore është tashmë një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për mbrojtjen e konsumatorit, por edhe për ruajtjen e eksporteve shqiptare.
Agroeksporti është një nga sektorët me potencialin më të madh për të sjellë valutë në ekonominë shqiptare.
Megjithatë, ai nuk mund të mbështetet vetëm mbi sakrificën e fermerëve dhe eksportuesve. Pa politika të mirëfillta mbështetëse, pa subvencione efektive dhe pa garantimin e standardeve të cilësisë, Shqipëria rrezikon të humbasë një avantazh konkurrues të ndërtuar me shumë mund gjatë dekadave të fundit.
Nëse nuk ndërhyhet në kohë, produktet shqiptare që dikur identifikoheshin me cilësinë dhe pastërtinë e tyre mund të mbeten vetëm një kujtim i një periudhe kur “ishte një kohë”.
