Gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit janë nderuar sot mësuesit e vitit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në përgatitjen e brezave të rinj. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare për rritjen historike të pagave të mësuesve të arsimit parauniversitar brenda vitit 2024.
“Një nga faktorët që ndikojnë drejtpërdrejtë në performancën dhe në rritjen e dinjitetit tuaj është mbështetja financiare. Në vitin 2024 ne do të kemi një rritje pagash të konsideruseshme për mësuesit tanë, duke synuar që në fund të 2024 paga mesatare për mësuesit do të jetë 950 euro” – tha Manastirliu në fjalën e saj.
Ministrja Ogerta Manastirliu, bëri me dije nisjen e një programi të ri trajnimi për mësuesit me qëllim rritjen e tyre profesionale.
“Një nga masat që do të ndërmarrim është Programi Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve, ku do ta fillojmë trajnimet për praktikat efektive të mësimdhënies në fushat e matematikës, gjuhës dhe shkencave dhe 4 mijë mësues që menjëherë në fazën e parë të këtij programi, do të jenë përfitues, për të përmirësuar aftësitë e tyre pedagogjike në funksion të rritjes së nivelit të kompetencave të nxënësve” u shpreh ministrja Manastirliu.
Ndërsa, për t’ju përgjigjur sfidave të kohës dhe digjitalizimit, Manastirliu theksoi se në fokus të investimeve të MAS do të jetë shtimi i laboratorëve smart në shkolla, me 216 laboratorë gjatë 2024.
