Albana Koçiu. Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vizitoi Spitalin Rajonal të Korçës, ku është takuar me shefat e shërbimeve, mjekët dhe stafin e këtij spitali. Gjatë bashkëbisedimit të saj me stafin, krahas opinioneve dhe sugjerimeve që mori nga stafi, dha edhe lajmin e mirë se struktura e Spitalit Rajonal të Korçës, i cili është një nga 12 spitalet rajonale, me buxhetin e vitit 2024 do të transformohet.
Koçiu nënvizoi se spitali do të marrë vëmendje të shtuar për të përmirësuar akoma më shumë cilësinë e shërbimit dhe për t’u dhënë mundësinë të gjithë personelit që punon aty për tu ndjerë më mirë.
Përsa i përket shërbimeve spitalore, spitali në fjalë i ka të plotësuara më së miri të gjitha specialitetet e nevojshme falë stafit dhe pajisjeve bashkëkohore. Mesazhi i Koçiut ishte vendosmëria për të mbështetur çdo ditë mjekët dhe infermierët në punën e tyre, duke u dhënë atyre dinjitetin që meritojnë.
