Numri i bizneseve në Shqipëri vijon të zgjerohet. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 18.297 ndërmarrje të reja, nga 15.970 që ishin regjistruar një vit më parë, duke reflektuar një rritje të ndjeshme të aktivitetit sipërmarrës në vend. Në fund të vitit, Shqipëria numëronte 137.892 ndërmarrje ekonomike aktive, ose 4,3% më shumë se në vitin 2024.
Sipas raportit të INSTAT për Regjistrat e Biznesit 2025, numri i njësive ligjore aktive arriti në 250.097, me një rritje prej 5,1% krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa fermerët e regjistruar arritën në 112.205, ose 6,1% më shumë se në vitin 2024.
Të dhënat tregojnë se 85,9% e ndërmarrjeve aktive operojnë në sektorët e shërbimeve, përfshirë tregtinë, transportin, akomodimin, teknologjinë e informacionit dhe shërbimet e tjera. Këto biznese gjenerojnë 68,2% të shitjeve neto në ekonomi. Nga ana tjetër, sektorët prodhues, ku përfshihen bujqësia, industria dhe ndërtimi, përbëjnë vetëm 14,1% të ndërmarrjeve aktive, por realizojnë 31,8% të shitjeve neto.
Raporti evidenton gjithashtu se shumica dërrmuese e bizneseve shqiptare vazhdojnë të jenë të vogla. Vetëm 1,5% e ndërmarrjeve kanë mbi 50 të punësuar, por ato mbajnë peshën kryesore të ekonomisë duke punësuar 48,6% të totalit të të punësuarve dhe duke realizuar 44,8% të shitjeve neto vjetore.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është rritja graduale e pjesëmarrjes së grave në sipërmarrje. Në vitin 2025, gratë menaxhonin ose zotëronin 31,6% të ndërmarrjeve aktive, nga 31,4% një vit më parë. Prania më e madhe e grave në vendimmarrje evidentohet në sektorin e tregtisë dhe atë të shërbimeve, ku ato përfaqësojnë respektivisht 34,3% dhe 41,2% të sipërmarrjeve.
Ndërkohë, bizneset me kapital të huaj mbeten një pjesë relativisht e vogël e tregut, duke përbërë 5% të ndërmarrjeve aktive, por ndikimi i tyre në tregun e punës është më i madh, pasi ato punësojnë 12,5% të totalit të të punësuarve në vend.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se ekonomia shqiptare po vijon të prodhojë biznese të reja dhe të zgjerojë bazën sipërmarrëse. Megjithatë, struktura e tregut mbetet e dominuar nga ndërmarrjet e vogla dhe nga sektori i shërbimeve, ndërsa sfida kryesore mbetet rritja e kapaciteteve prodhuese dhe krijimi i ndërmarrjeve me përmasa më të mëdha, të afta për të gjeneruar më shumë punësim dhe vlerë të shtuar në ekonomi. /ekofin.al
