Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka zgjedhur të përcjellë një mesazh të rëndësishëm për një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë: mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijëve në epokën digjitale.
Institucioni ka publikuar më 1 qershor Udhëzuesin për Mbrojtjen e të Dhënave të të Miturve, një dokument informues dhe ndërgjegjësues i hartuar në zbatim të ligjit të ri nr.124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, me synimin për t’i ndihmuar fëmijët, prindërit dhe kujdestarët të kuptojnë më mirë të drejtat dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e internetit dhe teknologjive digjitale.
Publikimi vjen në një kohë kur fëmijët kalojnë gjithnjë e më shumë kohë online, ndërsa rrjetet sociale, aplikacionet, lojërat elektronike dhe platformat e komunikimit po mbledhin sasi të konsiderueshme informacioni personal. Në këtë realitet të ri, mbrojtja e të dhënave nuk konsiderohet më thjesht një çështje teknike apo ligjore, por një element thelbësor i sigurisë dhe mirëqenies së të miturve.
Sipas udhëzuesit, të dhënat personale të fëmijëve përfshijnë çdo informacion që mund të përdoret për identifikimin e tyre, nga emri dhe data e lindjes deri te fotografitë, videot, vendndodhja apo aktiviteti në internet. Për shkak të moshës dhe cënueshmërisë së tyre, të miturit gëzojnë një nivel më të lartë mbrojtjeje ligjore krahasuar me të rriturit.
Dokumenti thekson se, për fëmijët nën moshën 16 vjeç, përpunimi i të dhënave personale është i ligjshëm vetëm nëse autorizohet nga prindi ose kujdestari ligjor. Njëkohësisht, ligji ndalon përdorimin e të dhënave të të miturve për marketing, profilizim apo monitorim, përveç rasteve kur ekzistojnë garanci të posaçme ligjore për mbrojtjen e tyre.
Një pjesë e rëndësishme e udhëzuesit i kushtohet të drejtave që gëzojnë fëmijët si subjekte të të dhënave personale. Mes tyre përfshihen e drejta për informim, akses, korrigjim dhe fshirje të të dhënave, e drejta për t’u harruar, për transferueshmërinë e të dhënave, për të kundërshtuar përpunimin dhe për të mos iu nënshtruar vendimeve automatike që mund të ndikojnë në jetën e tyre.
Komisioneri vë theksin edhe te rreziqet që sjell ekspozimi i pakontrolluar në internet. Publikimi paralajmëron se informacionet personale mund të përdoren për profilizim, reklamim të synuar, mashtrime, bullizëm kibernetik apo edhe për cenimin e reputacionit të fëmijëve në të ardhmen. Një foto apo koment i publikuar sot mund të mbetet në internet për vite me radhë, duke krijuar pasoja që shpesh nuk kuptohen në momentin e publikimit.
Për këtë arsye, udhëzuesi rekomandon masa konkrete mbrojtëse, si përdorimi i fjalëkalimeve të forta, kontrolli i cilësimeve të privatësisë në rrjetet sociale, shmangia e ndarjes së të dhënave personale në lojëra online, komunikimi vetëm me persona të njohur dhe konsultimi me prindërit përpara dhënies së informacioneve personale.
Mesazhi kryesor i dokumentit është i qartë: fëmijët duhet të mësojnë që herët të kenë kontroll mbi identitetin e tyre digjital. Në një botë ku të dhënat personale janë kthyer në një nga asetet më të vlefshme, edukimi për privatësinë dhe sigurinë online është po aq i rëndësishëm sa edukimi tradicional.
Zgjedhja e 1 Qershorit për publikimin e këtij udhëzuesi nuk duket rastësore. Përtej festimeve, lodrave dhe aktiviteteve për fëmijët, Komisioneri ka sjellë në vëmendje një dimension të ri të mbrojtjes së tyre: të drejtën për privatësi dhe siguri në botën digjitale, një sfidë që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për familjet, shkollat, institucionet dhe vetë shoqërinë. /ekofin.al
