Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar zyrtarisht pas publikimit të pamjeve që tregojnë një incident mes punonjësve të një shoqërie private sigurie dhe një qytetari gjatë protestave të zhvilluara në zonën ku parashikohet të ndërtohet projekti turistik në Zvërnec.
Në një deklaratë për mediat, kompania bën të ditur se ka ndërprerë me efekt të menjëhershëm kontratën me shoqërinë e sigurisë që kishte angazhuar për ruajtjen e zonës zhvillimore, duke e konsideruar sjelljen e treguar në videot e publikuara si të papranueshme dhe në kundërshtim me çdo udhëzim të dhënë nga investitori.
Sipas kompanisë, zona ku po zhvillohet projekti është pronë private dhe për garantimin e sigurisë ishte kontraktuar një subjekt i licencuar nga institucionet shtetërore dhe me eksperiencë në këtë fushë. Megjithatë, pas shqyrtimit të materialeve filmike të bëra publike, kompania vlerëson se nuk mund të vazhdojë më marrëdhënien kontraktuale me këtë subjekt.
“Zvërnec South Adriatic Development” thekson se në asnjë moment kompania e sigurisë nuk ka pasur udhëzime për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo për të cenuar të drejtat e qytetarëve. Sipas deklaratës, ndërhyrja ndaj një protestuesi që ndodhej jashtë kufirit të pronës dhe tërheqja e tij brenda saj për të ushtruar forcë konsiderohet jo vetëm moralisht e papranueshme, por edhe potencialisht e dënueshme penalisht.
Kompania ka kërkuar ndjesë publike për incidentin, duke e cilësuar atë si të panevojshëm, ndërsa u ka bërë thirrje organeve kompetente të kryejnë një hetim të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e personave përgjegjës. Gjithashtu, investitori shprehet i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet dhe çdo palë tjetër të interesuar.
Në reagimin e saj, shoqëria rithekson se marrëdhënia me komunitetin lokal mbetet një element thelbësor i projektit dhe njofton se në javët në vijim do të intensifikojë komunikimin me banorët e zonës për të adresuar shqetësimet dhe për të ofruar më shumë informacion mbi investimin.
Kompania ka reaguar edhe ndaj materialeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me projektin, duke pretenduar se një pjesë e imazheve të publikuara janë të fabrikuara dhe nuk përfaqësojnë projektin real që po hartohet. Sipas saj, këto materiale synojnë të krijojnë perceptimin se zhvillimi turistik do të dëmtojë mjedisin natyror të zonës.
“Zvërnec South Adriatic Development” thekson se vlera kryesore e investimit qëndron pikërisht në harmonizimin e zhvillimit me natyrën dhe në mbrojtjen e ekosistemeve të veçanta të zonës, duke premtuar se projekti final do të prezantohet publikisht në momentin e duhur dhe do të dëshmojë respektimin e standardeve më të larta mjedisore.
Projekti turistik në Zvërnec, i cili sipas kompanisë përfaqëson një nga investimet më të mëdha të planifikuara në sektorin e turizmit në Shqipëri, ka ngjallur debat të gjerë publik gjatë ditëve të fundit, veçanërisht për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe aksesin në zonë.
