Miliona gra me kancer gjiri mund të shmangin në mënyrë të sigurt kimioterapinë, pasi shkencëtarët kanë zhvilluar një test ADN-je që dallon pacientët që ka gjasa të përfitojnë nga trajtimi dhe ata që nuk përfitojnë, sipas rezultateve të një studimi.
Studimi ndërkombëtar zbuloi se më shumë se dy të tretat e pjesëmarrësve mund t’u shpëtonin efekteve anësore të kimioterapisë dhe të trajtoheshin vetëm me terapi hormonale.
Kimioterapia mund të shkaktojë lodhje, të përziera, rënie të flokëve, dobësim të sistemit imunitar dhe probleme me fertilitetin.
Studimi, i udhëhequr nga University College London (UCL), përfshiu më shumë se 4,000 paciente të sapodiagnostikuara mbi moshën 40 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar, Norvegji, Suedi, Australi, Zelandë të Re dhe Tajlandë.
Shkencëtarët përdorën një test gjenetik të quajtur Prosigna për të matur aktivitetin e 50 gjeneve të përfshira në rritjen e kancerit të gjirit dhe për të llogaritur rrezikun që sëmundja të rikthehej te pacientja.
Ato që morën një rezultat të ulët – rreth dy të tretat e grupit – nuk iu nënshtruan kimioterapisë. Norma e mbijetesës pesëvjeçare në këtë grup ishte 93.7%, krahasuar me 94.9% te pacientet që morën kimioterapi si pjesë e trajtimit.
Trajtimi kryesor për kancerin e gjirit zakonisht është ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e tumorit. Kimioterapia rekomandohet shpesh më pas për të ulur rrezikun e rikthimit të sëmundjes.
Ajo u ofrohet rregullisht edhe personave me kancer gjiri në fazë të hershme që është përhapur në nyjet limfatike pranë zonës së prekur.
Sipas UCL, mjekët kanë shqetësime se trajtimi sjell pak përfitim për pacientet me llojin më të zakonshëm të kancerit të gjirit.
Universiteti tha se më shumë se 5,000 paciente të NHS çdo vit mund të shmangin kimioterapinë falë rezultateve të këtij studimi.
Karen Bonham, nga Cardiffi, mori pjesë në studim dhe tha se rezultatet janë një “lehtësim i jashtëzakonshëm” dhe ndihen “si Krishtlindje”.
64-vjeçarja shmangu kimioterapinë falë testit Prosigna dhe në vend të saj ka marrë radioterapi dhe terapi hormonale për tetë vite.
“Diagnoza dhe trajtimi i kancerit mund të jenë tronditëse,” tha ajo.
“Të fusin në një botë pasigurie. Prioritetet e jetës ndryshojnë – thjesht dëshiron të mbijetosh.”
Gjetjet e studimit do të prezantohen të shtunën në Çikago, SHBA, gjatë takimit vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike, konferenca më e madhe në botë për kancerin.
Profesori David Miles, specialist i njohur i kancerit, i përshkroi rezultatet si “ndryshuese për praktikën mjekësore”.
“Tani mund të parashikojmë me siguri se shumë paciente nuk do të kenë asnjë përfitim nga kimioterapia dhe për këtë arsye nuk kanë nevojë ta bëjnë,” tha ai për BBC Newshour.
Ai shtoi se testi do t’u lejojë mjekëve të “identifikojnë me siguri një grup të madh grash që thjesht nuk do të përfitojnë dhe nuk kanë pse të kalojnë gjithë atë përvojë të vështirë pa asnjë dobi.”
“Më parë u jepnim kimioterapi 100 grave për të ndihmuar 10 prej tyre, duke e ditur se 90 nuk kishin nevojë për të,” tha ai.
Tanya Hutson, e diagnostikuar me kancer gjiri në vitin 2022 dhe që iu nënshtrua kimioterapisë si pjesë e trajtimit, e quajti testin e ri ADN “absolutisht të jashtëzakonshëm”.
“Kjo tregon çfarë ndodh kur investohet në kërkime shkencore,” tha ajo, duke shtuar se kimioterapia kishte qenë “brutale”.
“Për të gjithë ata njerëz që nuk kanë nevojë për të, por vazhdojnë ta marrin – ky është një ndryshim rrënjësor.”
Sipas UCL, ende nuk dihet nëse rezultatet vlejnë edhe për pacientët nën moshën 40 vjeç, ndërsa përgjigjet për këtë grupmoshë mund të kërkojnë edhe disa vite të tjera studimesh./Përshtati nga BBC, ekofin.al
