Bankieri Bledar Shella në cilesinë e presidentit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, u shpreh se ekonomia shqiptare po përmirëson në vijueshmëri rritjen ekonomike, teksa po shtron sfidat e reja. Më tej ai pohoi se industria bankare ka dhënë kontribut në ecurinë pozitive të aktivitetit ekonomik dhe ka potenciale të mbështesë rritjen ekonomike të vendit në vijimësi.
Shella sqaroi se, këtë vit pati një rritje të ndjeshme të inflacionit që u shoqërua me një rritje të normës së interesit për lekun, që është rritja më e lartë në këto 40 vitet e fundit dhe një ndryshim të ndjeshëm të kursit të këmbimit. Ai tha se të gjithë këto parametra kishin potencialin që të ndikojnë në ecurinë e aktivitetit ekonomik por dhe të bankave.
“Fakt është që rritja ekonomike ka qenë e kënaqshme në nivelin 4%, që është një nga rritjet më të larta në rajon, inflacioni në vendin tonë ka qenë në nivele të pranueshme dhe aktiviteti i sistemit bankar ka rezultuar mjaft pozitiv. Pavarësisht faktorëve, kredia është rritur me 5 %, depozitat me 7.5 % dhe nëse do ta shikojmë kredidhënien të ndarë në biznese apo individë, kredia për individë është me rritje dyshifrore mbi 10-të, që do të thotë se aktiviteti ka qenë një rritje të vazhdueshme” nënvizoi ai.
Shella u shpreh optimist se e ardhmja do të jetë pozitive, pasi dhe të gjithë faktorët janë në këtë drejtim.
“Kemi një stabilitet ekonomik, kemi një rritje të kënaqshme shumë të mirë të turizmit, kemi një vëmendje të shtuar të BE-së për përafrimin e Shqipërisë në BE dhe rritje të investimeve të tyre dhe imazhi i vendit tonë është shumë më i mirë se çka qenë më parë dhe të gjithë këto elementë do të ndikojnë pozitivisht në ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare dhe qarkullimit të parasë”, përfundoi ai.
