Shqipëria rezulton ndër vendet me fluksin më të lartë të investimeve të huaja direkte në rajon për vitin 2024, duke tërhequr rreth 2 miliardë dollarë investime, sipas të dhënave të UNCTAD (Agjencia e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin) mbi 100 vendet kryesore për investimet e huaja në botë.
Me këtë nivel investimesh, Shqipëria renditet në vendin e 76-të globalisht, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë tërhequr secila nga 1 miliard dollarë investime dhe renditen respektivisht në vendet 98 dhe 90. Në rajon, Serbia mbetet ekonomia më tërheqëse për kapitalin e huaj me 6 miliardë dollarë investime dhe vendin e 47-të në botë, ndërsa Greqia ka tërhequr 7 miliardë dollarë dhe renditet e 41-ta globalisht. Kroacia ka regjistruar 4 miliardë dollarë investime të huaja direkte dhe pozicionohet në vendin e 51-të.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria vazhdon të mbetet më tërheqëse për kapitalin e huaj sesa disa ekonomi të Ballkanit Perëndimor, megjithëse diferenca me Serbinë dhe Greqinë mbetet e ndjeshme. Fluksi prej 2 miliardë dollarësh për Shqipërinë vjen në një kohë kur investimet e huaja në rajon po orientohen gjithnjë e më shumë drejt energjisë, turizmit, pasurive të paluajtshme dhe projekteve infrastrukturore.
Në nivel global, Shtetet e Bashkuara mbetën destinacioni kryesor i investimeve të huaja direkte në vitin 2024, duke tërhequr afro 279 miliardë dollarë investime, shumë më tepër se çdo vend tjetër në botë. Kërkesa e fortë konsumatore, sektori i madh i teknologjisë dhe programet masive të investimeve në infrastrukturë vazhduan të mbështesin besimin e investitorëve.
Pas SHBA-së renditet Singapori me rreth 143 miliardë dollarë investime, ndërsa Hong Kongu dhe Kina vijojnë menjëherë pas tij. Në total, flukset globale të investimeve të huaja direkte arritën rreth 1.5 trilionë dollarë në vitin 2024.
Disa nga përfituesit më të mëdhenj të investimeve në botë nuk janë domosdoshmërisht ekonomitë më të mëdha, por qendra financiare dhe korporative globale si Singapori, Hong Kongu, Luksemburgu dhe Ishujt Kajman. Këto juridiksione tërheqin sasi disproorcionale kapitali, sepse funksionojnë si porta hyrëse për investimet shumëkombëshe dhe financat ndërkombëtare.
Ndërkohë, ekonomitë në zhvillim vijojnë të përfitojnë nga riorganizimi i zinxhirëve globalë të furnizimit dhe zhvendosja e kapaciteteve prodhuese. Brazili tërhoqi rreth 59 miliardë dollarë investime të huaja direkte, ndërsa Meksika mori afro 37 miliardë dollarë, ndërsa kompanitë po afrojnë prodhimin pranë tregut amerikan. India regjistroi rreth 28 miliardë dollarë investime, të mbështetura nga rritja në teknologji, prodhim dhe infrastrukturë digjitale. Vietnami dhe Indonezia mbetën gjithashtu destinacione tërheqëse për investitorët.
Nga ana tjetër, disa ekonomi të zhvilluara si Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Irlanda regjistruan flukse negative të investimeve të huaja direkte. Sipas analizës, këto shifra lidhen më shumë me ristrukturime korporative, shitje asetesh dhe luhatje të flukseve financiare sesa me dobësim të aktivitetit ekonomik./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al

