Rënia e çmimeve të Kartonit Jeshil dhe efekti i bonus-malus po ndryshojnë ndjeshëm tregun e sigurimeve motorike në Shqipëri gjatë vitit 2026. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në katër muajt e parë të vitit, tregu po përjeton ulje të primeve si në sigurimin e detyrueshëm TPL, ashtu edhe në produktet ndërkufitare, duke sjellë kursime të konsiderueshme për qytetarët.
Sipas raportit të AMF-së për periudhën janar-prill 2026, primi mesatar i sigurimit MTPL të brendshëm ka rënë me 2.2%, si rezultat i drejtpërdrejtë i zbatimit të sistemit bonus-malus, që lidh çmimin e sigurimit me historikun e dëmeve të drejtuesit të mjetit. Praktikisht, drejtuesit që nuk kanë shkaktuar aksidente përfitojnë ulje të primit, ndërsa ata me histori dëmesh paguajnë më shumë.
Efektet e këtij sistemi tashmë po reflektohen gjerësisht në treg. Sipas AMF-së, rreth 96% e drejtuesve të mjeteve kanë përfituar bonus në çmimin e siguracionit, pasi nuk rezultojnë të kenë shkaktuar aksidente gjatë vitit të kaluar. Kjo ka sjellë jo vetëm ulje të kostos për shumicën e qytetarëve, por edhe një presion mbi të ardhurat e kompanive të sigurimit nga produktet motorike.
Paralelisht me TPL-në, në rënie kanë vijuar edhe Kartoni Jeshil dhe Sigurimi Kufitar. AMF vlerëson se rënia me rreth 2% e primeve të Kartonit Jeshil në janar-prill lidhet kryesisht me efektet e zbatimit të marrëveshjes CEFTA për lehtësimin e lëvizjeve ndërkufitare.
Ndryshimi më i madh është reflektuar për qytetarët që udhëtojnë shpesh drejt Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Për këtë kategori drejtuesish, tashmë mund të blihet një Karton Jeshil vjetor me rreth 50 euro, nga afërsisht 400 euro që kushtonte më parë. Diferenca është e konsiderueshme dhe përkthehet në kursime të mëdha për bizneset dhe individët që lëvizin rregullisht në rajon.
Nga ana tjetër, ulja e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në të ardhurat e tregut të sigurimeve nga Kartoni Jeshil. Megjithatë, efekti për konsumatorët konsiderohet pozitiv, pasi redukton kostot e transportit dhe të lëvizjes ndërkufitare në një periudhë kur shumë shërbime të tjera mbeten të shtrenjta.
Tregu i sigurimeve motorike po hyn kështu në një fazë të re, ku çmimi i policës lidhet më shumë me sjelljen individuale të drejtuesit të mjetit dhe me ndryshimet rajonale në lëvizjen e automjeteve, ndërsa qytetarët po përfitojnë nga prime më të ulëta dhe tarifa më të favorshme për udhëtimet jashtë vendit. /ekofin.al
