Qeveria ka shtyrë afatin e aplikimeve për postin e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) dhe tre anëtarëve, ndërsa institucioni pritet të kalojë një riformatim pothuajse të plotë në muajt në vijim.
Thirrja për shprehje interesi ishte publikuar fillimisht më 28 prill 2026, duke hapur garën si për Kryetarin e ri të KPP-së, ashtu edhe për tre anëtarë të institucionit, mandatet e të cilëve përfundojnë në fund të qershorit.
Afati fillestar për aplikime ishte përcaktuar data 28 maj 2026, por pa përfunduar ende ky afat, Kryeministria ka vendosur ta shtyjë deri më 3 qershor 2026. Në njoftimin e ri nuk jepet asnjë arsye konkrete për shtyrjen, ndërsa theksohet vetëm baza ligjore mbi të cilën mbështetet vendimi, duke iu referuar Kodit të Procedurave Administrative, ligjit “Për prokurimin publik” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për procedurat e përzgjedhjes së kandidaturave për drejtuesit e KPP-së.
Lëvizja vjen në një moment delikat për institucionin, i cili prej muajsh funksionon pa kryetar, pas pezullimit të Jonaid Myzyrit, i hetuar nga SPAK për abuzime të mundshme dhe shpërdorim detyre në një procedurë prokurimi. Edhe pse masa ndaj tij u rrëzua më pas nga gjykata, procesi për zgjedhjen e drejtuesit të ri është rikthyer nga e para. Së fundmi GjKKO urdhëroi SPAK të hetonte sërish Myzyrin.
Në fakt, Kryeministria kishte shpallur të përfunduar më 7 prill 2026 procedurën e mëparshme për përzgjedhjen e Kryetarit të KPP-së, por pa propozuar asnjë kandidaturë për Kuvendin. Për këtë arsye, procedura u rihap sërish, këtë herë paralelisht edhe me garën për tre anëtarët e rinj të komisionit.
Tre prej anëtarëve aktualë të KPP-së, Fiorent Zguro, që mban postin e nënkryetarit, Anila Malaj dhe Kreshnik Ternova, përfundojnë mandatin në datën 29 qershor 2026. Ndryshimet pritet të prekin kështu shumicën e përbërjes së institucionit, duke e bërë procesin kyç për funksionimin normal të hallkës që shqyrton ankesat dhe konfliktet në procedurat publike të tenderëve.
Komisioni i Prokurimit Publik është organ kolegjial me pesë anëtarë: një kryetar, një nënkryetar dhe tre anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Në përbërjen aktuale do të vijojë vetëm Gjergj Mersini, i emëruar në prill 2024.
Për postin e Kryetarit kërkohet diplomë në drejtësi, mbi 8 vite përvojë pune, prej të cilave të paktën 3 vite në fushën e prokurimeve publike dhe 2 vite në pozicione drejtuese. Ndërsa për anëtarët kërkohen mbi 8 vite eksperiencë pune dhe të paktën 3 vite eksperiencë në prokurime.
Ligji parashikon gjithashtu që të paktën tre nga pesë anëtarët e KPP-së të kenë formim juridik, ndërsa vetëm një anëtar mund të vijë nga fusha ekonomike ose inxhinierike. Kandidatët duhet të plotësojnë edhe kritere të forta integriteti, duke mos qenë të dënuar, nën hetim penal apo subjekt i masave disiplinore në fuqi.
Sipas procedurës, kandidaturat do të shqyrtohen nga një komision ad-hoc, i cili brenda 30 ditëve nga mbyllja e aplikimeve do të kryejë vlerësimin dhe, nëse e konsideron të nevojshme, edhe intervistat me kandidatët. Lista përfundimtare e emrave të kualifikuar do t’i dërgohet më pas Kuvendit për miratim. /ekofin.al
