Pjesa e të ardhurave që shkon për 0.1% më të pasurit e kontinentit ndryshon shumë në Evropë. Në disa vende ajo kalon 6%, ndërsa mesatarja europiane është 4.5%. Ekspertët thonë se sistemet tatimore dhe pabarazia në paga janë faktorët kryesorë pas këtyre diferencave.
Pra, cilat vende u japin pjesën më të madhe të të ardhurave këtij grupi, afërsisht një personi në çdo 1,000 banorë?
Të dhënat nga World Inequality Database tregojnë se pjesa e të ardhurave të këtij grupi super të pasur varion nga 1.6% në Holandë deri në 10.2% në Gjeorgji, në 35 vende, përfshirë vendet anëtare të BE-së, vendet kandidate, anëtarët e EFTA-s dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Shifrat i referohen vitit 2024 ose vitit më të fundit të disponueshëm pas vitit 2020, me përjashtim të Italisë, ku të dhënat më të fundit janë nga viti 2015. Të ardhurat këtu maten para taksave dhe përfitimeve sociale.
Mes vendeve të BE-së, Estonia ka peshën më të lartë me 8.3%, e ndjekur nga Bullgaria (7.5%) dhe Polonia (7%).
Dy vende kandidate për në BE janë gjithashtu mbi 6%: Serbia (6.9%) dhe Turqia (6.1%).
Danimarka (5.8%) dhe Rumania (5.1%) janë gjithashtu mbi nivelin 5%.

Shqipëria rezulton ndër vendet me përqendrimin më të ulët të të ardhurave tek super të pasurit në rajon dhe në Evropë. Sipas të dhënave të World Inequality Database, 0.1% më i pasur në Shqipëri përfiton 2.4% të të ardhurave totale, shumë poshtë mesatares evropiane prej 4.5%.
Në rajon, Serbia regjistron një nivel shumë më të lartë me 6.9%, ndërsa Rumania arrin në 5.1%. Mali i Zi ka të njëjtin profil me Shqipërinë, me 2.3%, ndërsa Greqia renditet pranë mesatares evropiane me 4.5%. Këto të dhëna sugjerojnë se, krahasuar me një pjesë të vendeve të Ballkanit dhe Evropës Lindore, Shqipëria ka një përqendrim relativisht më të ulët të të ardhurave tek shtresa më e pasur e popullsisë.
Pse ekzistojnë këto diferenca?
Dr. Pawel Bukowski nga University College London thotë se politikat dhe institucionet luajnë rol kyç.
“Vendet mund të ndryshojnë në nivelin e rishpërndarjes, pra sa shumë përpiqemi të ndikojmë të ardhurat përmes taksave dhe politikave sociale”, tha ai për Euronews Business.
“Në këtë aspekt, Evropa Qendrore dhe Lindore ka një nivel relativisht të ulët rishpërndarjeje. Për shembull, sistemi tatimor në Poloni është regresiv, që do të thotë se të pasurit paguajnë relativisht më pak se të varfrit.”
Ai shtoi gjithashtu se shumë politika sociale janë ndërtuar në mënyrë që jo domosdoshmërisht barazojnë të ardhurat.
Duke përjashtuar Italinë, katër ekonomitë më të mëdha të Evropës renditen shumë pranë njëra-tjetrës, me grupe super të pasura që mbajnë pjesë pothuajse identike të të ardhurave: Spanja (5%), Gjermania (4.9%), Mbretëria e Bashkuar (4.9%) dhe Franca (4.9%).
Irlanda (4.8%) renditet pak më poshtë tyre, por sërish mbi mesataren europiane prej 4.5%.
Në fundin e listës, disa vende janë shumë pranë njëri-tjetrit. Holanda ka peshën më të ulët me 1.6%, e ndjekur nga Qipro (2.2%), Mali i Zi (2.3%), Sllovenia (2.3%), Belgjika (2.3%), Shqipëria (2.4%) dhe Letonia (2.4%), të gjitha nën 2.5%.
Shifra më e fundit për Italinë në WID është 2.0%, por ajo daton në vitin 2015 dhe mund të mos jetë plotësisht e krahasueshme. Një studim i publikuar nga WID nga Guzzardi dhe Morelli e vendos këtë tregues në 3.3% për vitin 2021.
Pjesa e të ardhurave të 0.1% më të pasur varion nga 3.5% deri në 4.5% në Greqi (4.5%), Zvicër (4.3%), Çeki (4.2%), Suedi (3.7%), Finlandë (3.5%) dhe Norvegji (3.5%).
Dr. Salvatore Morelli nga Universiteti Roma Tre vuri në dukje se pjesa më e lartë e të ardhurave për grupet më të pasura në disa vende mund të reflektojë pjesërisht një përqendrim real më të madh të pagave, të ardhurave nga biznesi dhe pronësisë së pasurisë, sidomos pas tranzicioneve ekonomike të viteve 1990.
Megjithatë, sipas tij, këto diferenca mund të reflektojnë edhe ndryshimet në sistemet e pensioneve, rregullat e raportimit tatimor, informalitetin dhe mënyrën se si të ardhurat nga kapitali regjistrohen në të dhënat administrative.
Kompresimi i pagave dhe negociatat kolektive
“Kërkimet tregojnë se vendet me kompresim më të fortë të pagave, institucione më të forta të negocimit kolektiv, papunësi më të ulët dhe sisteme më të gjera sigurimesh sociale priren të reduktojnë hendekun e të ardhurave para taksave mes fituesve më të mëdhenj dhe pjesës tjetër të popullsisë”, tha Morelli për Euronews Business.
“Kjo mund të shpjegojë pse vendet skandinave dhe disa vende të Evropës Perëndimore regjistrojnë shpesh pjesë më të ulëta të të ardhurave për grupet më të pasura krahasuar me shumë ekonomi post-tranzicioni.”
A po rritet pjesa e të ardhurave të më të pasurve?
Në Evropë, 0.1% më i pasur përfitonte 6.43% të të ardhurave totale në vitin 1940. Kjo shifër ra gradualisht deri në rreth 2.7% në fillim të viteve 1980.
Më pas ajo u rrit sërish, duke iu afruar 5% në vitin 2007, përpara se kriza financiare ta ulte përsëri. Që prej rreth vitit 2010, niveli ka mbetur relativisht i qëndrueshëm, duke arritur në 4.54% në vitin 2024./ Përshtati nga Euronews, ekofin.al
