Gjatë daljes së saj për mediat, deputetja Oriola Pampuri e cila është nënkryetarja e Partisë Demokratike shprehu qëndrimin e saj rreth pezullimit të fondeve IPARD në Bujqësi dhe Zhvillimit Rural nga zyra kundër mashtrimit ekonomik OLAF në BE.
Deputetja Pampuri tha se duke nisur nga viti 2014 dhjetëra dhe miliona euro kanë kaluar në adresën e një grupi njerëzish të cilet janë të lidhur me interesa politike dhe ekonomike me pushtetarët. Sipas saj këto fonde janë grabitur nga fermerët të cilët nuk kanë mundur të përfitojnë asnjë grant nga fondet e Bashkimit Europian.
Më tej zonja Pampuri e mbështeti argumentin e saj duke perdorur raportin e fundit të Berzh si një element konfirmues të idesë se përkeqësimi i tregut dhe konkurrencës vjen si pasojë e performancës së dobët të qeverisjes e cila është shndërruar në një model sistemik korrupsioni.
“Ndërkohë nga viti në vit mbështetja buxhetore për Bujqësinë në vend është më pak se sa fondi vjetor i IPARD nga BE, ku për vitin e ardhshëm është 31.7 milionë euro, ose 4.5 herë më pak sesa fondi për kontratat koncesionare e PPP-të korruptive. Së fundmi IPARD nxjerr në pah se 3/4 e të gjitha fondeve të keqmenaxhuara për vitin 2022 për 6 vendet e rajonit dhe Turqinë, ose 33 milionë euro abuzime janë shkaktuar vetëm nga autoritetet shqiptare. Pra më shumë se sa vetë mbështetja buxhetore për Bujqësinë që qeveria shpërndan për një vit për këtë sektor që kontribuon së paku 18-20% të PBB të vendit”, tha ajo.
“Ndaj dhe Partia Demokratike e Shqipërisë ka kërkuar vetingun në politikë ndaj çdo funksionari publik të lartë dhe të zgjedhur për verifikim për lidhje me krimin, korrupsionin dhe përfitimin ekonomik në mënyrë të padrejtë në kurriz të shqiptarëve dhe kundër interesit publik”, përfundoi deputetja Pampuri.
