Eco Buildings Group PLC, kompania e ndërtimit modular, ka siguruar me kusht një financim prej 2.35 milionë paundësh përmes emetimit dhe nënshkrimit të aksioneve të reja me çmim 12 pens për aksion.
Financimi, i organizuar nga brokeri Tavira Financial, përfshin 18.33 milionë aksione të reja dhe 1.25 milionë aksione të nënshkruara nga investitorët.
Sipas kompanisë, të ardhurat neto prej rreth 2.2 milionë paundësh do të përdoren për instalimin e një linje të dytë prodhimi të paneleve prej gipsi të përforcuar me fibra qelqi (GFRG) në fabrikën e saj në Shqipëri, si edhe për kapital qarkullues.
Zgjerimi vjen pas njoftimit të fundit për bashkëpunimin me Balfin Group, një nga grupet më të mëdha të investimeve në Shqipëri.
Linja e re e prodhimit pritet të instalohet brenda tre deri në katër muajve dhe të hyjë menjëherë në funksion, duke i mundësuar kompanisë të përmbushë atë që e cilëson si një portofol në rritje porosish në Shqipëri.
Kompania deklaron se përmes kontratave të porosive të nënshkruara me partnerët e saj në Shqipëri dhe Kosovë planifikon të fitojë deri në 38 milionë euro në vit për 3 vitet e ardhshme.
Eco Buildings është e specializuar në ndërtimin modular, duke përdorur panele GFRG, një material i lehtë ndërtimi që mund të prodhohet në shkallë industriale dhe të montohet në terren, duke ofruar avantazhe në kosto dhe kohë krahasuar me metodat tradicionale të ndërtimit.
Kompania ka zgjeruar praninë e saj në tregun shqiptar, ku kërkesa për banesa dhe ndërtesa tregtare me kosto të përballueshme dhe ndërtim të shpejtë është në rritje. /ekofin.al
