Një draft i ri i hedhur për konsultim publik synon të zgjerojë kompetencat e Avokaturës së Shtetit, duke i dhënë asaj një rol më të madh në mbrojtjen e interesave pasurore të institucioneve publike dhe pushtetit vendor, ndërsa parashikon edhe krijimin e funksioneve të reja për të përballuar ngarkesën në rritje të çështjeve gjyqësore.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Avokaturën e Shtetit” parashikon që ky institucion të përfaqësojë dhe mbrojë automatikisht organet e vetëqeverisjes vendore në çështjet gjyqësore me interes pasuror, pa pasur nevojë për autorizim të posaçëm nga bashkitë apo njësitë vendore. Sipas relacionit shoqërues, kjo ndërhyrje vjen pasi numri i mosmarrëveshjeve gjyqësore ndaj pushtetit vendor është rritur ndjeshëm vitet e fundit, kryesisht për çështje pronësie, investimesh publike, kontratash dhe dëmshpërblimesh.
Drafti argumenton se shumë bashki nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare dhe profesionale për të përballuar kostot e përfaqësimit ligjor në gjykata, ndërsa Avokatura e Shtetit ka evidentuar një nevojë të vazhdueshme për asistencë juridike nga pushteti vendor. Aktualisht tarifat për përfaqësim nga Avokatura e Shtetit janë 25 mijë lekë për çështje, por relacioni pranon se edhe kjo konsiderohet barrë e papërballueshme për një pjesë të njësive vendore. Për këtë arsye propozohet që mbrojtja e interesave pasurore të bashkive të financohet nga buxheti i shtetit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është krijimi i funksionit të “ndihmësit ligjor të avokatit të shtetit”, një pozicion i ri që synon të lehtësojë ngarkesën administrative dhe procedurale të avokatëve të shtetit. Sipas draftit, ndihmësit ligjorë do të angazhohen në mbledhjen e provave, administrimin e dokumenteve, raportimin dhe përditësimin e regjistrave, duke i lënë avokatëve të shtetit më shumë kohë për strategjinë juridike dhe përfaqësimin në gjykata.
Relacioni evidenton se avokatët e shtetit ndjekin mesatarisht 7 deri në 10 seanca gjyqësore në ditë dhe përballen çdo vit me rreth 12 mijë çështje të reja, ndërsa rreth 2.5 mijë prej tyre lidhen me organet e vetëqeverisjes vendore. Sipas projektligjit, zgjerimi i kompetencave të Avokaturës së Shtetit pritet të rrisë ngarkesën e punës me rreth 20%.
Drafti synon gjithashtu të zgjidhë problemin e vakancave në institucion. Aktualisht Avokatura e Shtetit ka 12 vende vakante dhe sipas relacionit, sistemi aktual i rekrutimit përmes Shkollës së Magjistraturës nuk po arrin të plotësojë nevojat. Për këtë arsye, projektligji propozon që avokatë shteti të mund të emërohen edhe juristë me mbi 10 vite eksperiencë si avokatë, pedagogë të së drejtës apo juristë në administratën shtetërore, si dhe ndihmës ligjorë me mbi 7 vite eksperiencë në institucion.
Një pjesë e rëndësishme e draftit lidhet edhe me rritjen e kapaciteteve ndërkombëtare të institucionit. Projektligji parashikon emërimin e avokatëve të shtetit si përfaqësues të përhershëm pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit të Europës, me synimin për të përmirësuar mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar në çështjet ndërkombëtare.
Sipas relacionit financiar, krijimi i 15 pozicioneve të reja për ndihmës ligjorë do të ketë një kosto prej rreth 31 milionë lekësh bruto në vit për buxhetin e shtetit. Megjithatë, Avokatura e Shtetit argumenton se kjo kosto justifikohet nga vlera e lartë e çështjeve që institucioni përfaqëson. Vetëm gjatë vitit 2025, Avokatura e Shtetit ka ndjekur procese gjyqësore me vlerë rreth 8 miliardë lekë dhe mbi 12 milionë metra katrorë pasuri të paluajtshme.
Relacioni e lidh reformën edhe me procesin e integrimit europian dhe Planin Strategjik 2025-2030 të Avokaturës së Shtetit, të hartuar me mbështetjen e një projekti IPA të Bashkimit Europian. Dokumenti synon transformimin e Avokaturës së Shtetit në një institucion më modern, më profesional dhe më të digjitalizuar, me rol më aktiv në menaxhimin e rreziqeve financiare dhe ligjore të shtetit shqiptar. /ekofin.al
