Konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri vijoi të rritet edhe gjatë muajit prill 2026, ndërsa prodhimi nga centralet fotovoltaike shënoi një tjetër zgjerim të fortë, duke konfirmuar ndryshimin gradual të strukturës së prodhimit energjetik në vend.
Të dhënat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) tregojnë se ngarkesa totale në sistemin e transmetimit arriti në 577.6 GWh në prill 2026, nga 563.8 GWh në të njëjtin muaj të një viti më parë. Krahasuar me prillin 2024, kur konsumi ishte 534.1 GWh, kërkesa për energji ka vijuar trajektoren rritëse për të dytin vit radhazi.
Ndërkohë, prodhimi total i energjisë elektrike në vend arriti në 694,190 MWh gjatë prillit 2026, nga 640,358 MWh në prill 2025. Pesha kryesore vijon të mbahet nga hidrocentralet me rezervuar, që prodhuan 365,642 MWh, ndërsa hidrocentralet me derivacion kontribuan me 245,492 MWh.
Megjithatë, zhvillimi më i fortë vijon të vijë nga energjia diellore. Sipas OST, prodhimi nga impiantet fotovoltaike arriti në 83,056 MWh në prill 2026, nga 54,939 MWh në prill 2025, duke regjistruar një rritje prej rreth 51%.
Kjo rritje po reflekton investimet e shpejta në parqe fotovoltaike dhe zgjerimin e kapaciteteve private për vetëprodhim, që gjatë dy viteve të fundit janë kthyer në një nga segmentet me ritmin më të lartë të zhvillimit në tregun energjetik shqiptar.
Në të njëjtën kohë, prodhimi nga TEC-et rezultoi pothuajse inekzistent në prill 2026, ndryshe nga prilli 2025 kur ishte raportuar një prodhim modest prej 720 MWh. Kjo tregon se sistemi vijon të mbështetet kryesisht tek burimet hidrike dhe gjithnjë e më shumë tek energjia diellore.
Rritja e prodhimit fotovoltaik po ndryshon gradualisht edhe balancën e sistemit energjetik shqiptar, i cili tradicionalisht ka qenë pothuajse tërësisht i varur nga hidrocentralet. Zgjerimi i energjisë diellore shihet si një element kyç për diversifikimin e burimeve, uljen e ekspozimit ndaj thatësirave dhe rritjen e sigurisë energjetike në vend. /ekofin.al
