Pagesat ndaj bizneseve nuk do të mund të zvarriten pafund nga kompanitë apo institucionet publike. Një projektligj i ri i hedhur për konsultim publik parashikon që autoritetet shtetërore të kryejnë pagesat brenda 30 ditëve, ndërsa në marrëdhëniet mes sipërmarrjeve afati maksimal do të jetë 60 ditë kalendarike. Nëse këto afate shkelen, kamatëvonesa do të nisë të llogaritet automatikisht, pa pasur nevojë për paralajmërime apo kërkesa formale nga kreditori.
Drafti është propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe synon ndryshimin e ligjit “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”, duke përafruar më tej legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimi Europian për luftën kundër vonesave në transaksionet tregtare.
Sipas projektligjit të hedhur për konsultim publik, rregullat do të zbatohen si për marrëdhëniet mes bizneseve private, ashtu edhe për kontratat me institucionet publike. Për herë të parë përcaktohet qartë se kamatëvonesa lind automatikisht nga dita pas përfundimit të afatit të pagesës dhe nuk do të kushtëzohet më nga dërgimi i njoftimeve apo kujtesave.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me procedurat e kolaudimit dhe verifikimit të mallrave apo shërbimeve. Ligji vendos që këto procedura të mos zgjasin më shumë se 30 ditë kalendarike, duke synuar të shmangë praktikat e shtyrjes artificiale të pagesave përmes zvarritjes së verifikimeve teknike.
Projektligji ndalon gjithashtu manipulimin e datës së marrjes së faturës, praktikë që përdoret shpesh për të shtyrë nisjen e afateve të pagesës. Çdo marrëveshje kontraktore që synon të ndryshojë artificialisht datën e marrjes së faturës do të konsiderohet e pavlefshme.
Ndryshime parashikohen edhe në procedurat gjyqësore. Në rastet kur detyrimi nuk kundërshtohet, gjykata do të duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit brenda 90 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Qeveria argumenton se ndryshimet synojnë të rrisin sigurinë financiare të bizneseve, veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat shpesh përballen me mungesë likuiditeti për shkak të vonesave në pagesa.
Sipas relacionit shoqërues, ligji pritet të sjellë disa përfitime konkrete për sa i përket shkurtimit të afatit të vonesave në pagesa, përmirësimin e likuiditetit të bizneseve, reduktimin e kostove financiare, rritjen e besueshmërisë në marrëdhëniet tregtare si dhe forcimin e disiplinës financiare në kontratat publike dhe private.
Drafti është tashmë në fazën e konsultimit publik dhe pritet të debatohet me grupet e interesit përpara se të miratohet në Këshill të Ministrave dhe të kalojë më tej për miratim në Kuvend. /ekofin.al
